VATIKAN - Ish-Shërbëtori i Papa Bendiktit të XVI do të dalë para gjykatës për akuzën e rëndë të vjedhjes.

Paolo Gabriele, 46 vjeç ka pranuar se ka vjedhur dokumente sekrete dhe ia ka dhënë ato mediave italiane, edhe pse deri më tani nuk ka kërkuar ndjesë për veprimin e tij.

Ai ka deklaruar për hetuesit se po shpresonte që me anë të këtyre dokumenteve të ekspozonte "ligësinë dhe korrupsionin" e kishës.

Ndërkohë, nëse ai shpallet fajtor, rrezikon deri në 4 vjet burg, por mund t’i shpëtojë këtij dënimi nëse merr faljen e Papës. Sëbashku me Gabrielen përpara gjyqit do të dalë edhe tekniku i kompjuterave të Vatikanit, Claudio Sciarpelletti, i cili akuzohet se e ka ndihmuar dhe inkurajuar Gabriellen në kryerjen e këtij krimi.

Gabrielle ishte personi më i besuar nga Papa, dhe kishte në dorëzim çelësat e apartamenteve papale. Shumë nga dokumentet e vjedhura prej tij u publikuan në një libër të një gazetari investigativ italian në maj të këtij viti.

Skandali i ashtuquajtur Vatileaks, tronditi që nga themelet Vatikanin, pasi nxorri në pah një sërë aferash korruptive të Selisë së Shenjtë.

Gjatë gjykimit të tij nuk do të lejohen telekamera apo gazetarë, ndërkohë që nëse Gabrielle do të dënohet atëherë ai do të transferohet në një burg në Itali, pasi Vatikani nuk disponon burg për afate kohore të gjata.

(ed.ka/shqiptarja.com)