Në fshatin Nënshat, Lula Hila do të ndërtojë një agroturizëm në tokën që i përket familjes së saj prej brezash, por që nuk ishte e regjistruar në hipotekë. Si përfituese e “Paketës së Maleve”, ajo thotë se kjo është një mundësi e mirë, pasi do të punësohet e gjithë familja.

“Djalin e kam emigrant në Itali dhe shpresojmë të kthehet për të punuar këtu. Duam që toka të bëhet me letra, sepse është tokë e familjes sonë dhe e gjithë zona e di që na përket neve. Synimi ynë është të ndërtojmë bujtina që të frekuentohen edhe nga turistët e huaj”, tha Lula Hila, aplikuese.

Amela Pali dhe Denisa Fermasi janë dy të reja që tregojnë se, së bashku me familjet e tyre, kanë fituar në fazën e parë dhe tashmë janë në pritje të lejeve të zhvillimit për të nisur menjëherë punën për ndërtimin e bujtinave.

“Kemi përfituar nga Paketa e Maleve dhe besojmë se kjo do të ndihmojë sidomos të rinjtë, që të mos largohen nga zona. Aktualisht jemi në fazën e dytë dhe kanë nisur të dalin dokumentet. Duam të investojmë në agroturizëm dhe të promovojmë veriun, sepse është një zonë me shumë potencial”, tha Amela Pala, aplikuese.

“Si familje kemi pasur prej kohësh dëshirën për të investuar në tokën tonë dhe për këtë aplikuam në Paketën e Maleve. Tani jemi në pritje të lejes së zhvillimit. Projekti ynë synon një investim pranë liqenit të Komanit, një nga zonat më piktoreske”, tha Denisa Fermasi, aplikuese.

Deri tani, Këshilli Bashkiak i Vau-Dejësit ka miratuar 26 aplikime dhe 24 të tjera janë në shqyrtim.

“26 aplikuesit e parë ndodhen në fazën e përfundimit të procedurave për regjistrimin e pronës në hipotekë. Po punohet për përgatitjen e dosjeve që të marrin edhe lejet zhvillimore. Sakaq, 24 dosje të tjera po përgatiten për mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak”, tha juristja në Bashkinë e Vaut të Dejës, Marinela Deda.

Paralelisht me “Paketën e Maleve”, bashkia po vijon edhe procesin e inventarizimit dhe formalizimit të kullave. Aktualisht po përmbyllet procesi i certifikimit për 74 kulla shekullore në zonat e Shllakut dhe Temalit.