Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale çeli ekspozitën “Vazhdimësi”, një projekt që i kushtohet artizanatit shqiptar si një nga format më autentike të trashëgimisë kulturore dhe krijimtarisë artistike. Nën kurimin e Erilda Selajt, ekspozita bashkon punimet e një grupi artistësh dhe artizanësh, duke krijuar një dialog mes traditës dhe shprehjes bashkëkohore.

Ekspozita ngre një pyetje thelbësore: A duhet të mbarojë mjeshtëria që të fillojë arti? Përmes veprave të ekspozuara, publiku ftohet të kuptojë se arti lind edhe nga përditshmëria, nga puna e heshtur e duarve, nga kujtesa familjare dhe nga teknikat që janë përcjellë brez pas brezi.

Punimet e prezantuara dëshmojnë se, edhe pse motivet dhe format artistike evoluojnë me kohën, mjeshtëria mbetet elementi që garanton vazhdimësinë e identitetit kulturor shqiptar. Artizanët sjellin teknika tradicionale të qëndisjes, punimit të tekstilit dhe materialeve të ndryshme, duke i përshtatur ato me një qasje të re krijuese.

Në fjalën e saj, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, Erilda Selaj, theksoi se mbështetja ndaj artizanëve shqiptarë do të vazhdojë të jetë një prioritet i institucionit.

Përmes ekspozitës “Vazhdimësi” që do të jetë e hapur tek “Vila 31” deri më 13 qershor, publiku nuk ftohet vetëm të admirojë veprat e ekspozuara, por edhe të reflektojë mbi rëndësinë e ruajtjes së zejeve tradicionale si pjesë e identitetit kombëtar. Kjo ekspozitë dëshmon se tradita nuk mbetet në të shkuarën, por vazhdon të jetojë dhe të frymëzojë përmes krijimtarisë së sotme.