Vazhdojnë shqetësimet rreth marrëdhënies Musk-Putin

Vazhdojnë shqetësimet rreth marrëdhënies Musk-Putin

Njoftimet se miliarderi Elon Musk ka biseduar në mënyrë të vazhdueshme me Presidentin rus Vladimir Putin po bëjnë ende jehonë ndër zyrtarët dhe ish-zyrtarët amerikanë, gati pothuajse një javë pasi u bë i ditur fillimisht lajmi për këto biseda.

Musk, i cili zotëron kompaninë e prodhimit të makinave elektrike Tesla dhe platformën e mediave sociale X, zotëron gjithashtu kompaninë komerciale të fluturimeve hapësinore SpaceX, që ka kontrata të shumta me qeverinë amerikane, me projekte për Departamentin e Mbrojtjes dhe agjencinë amerikane të hapësirës NASA.

Një pjesë e kësaj pune është aq konfidenciale saqë Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Musk çertifikatë sigurie të nivelit të lartë për shkak të njohurive të tij për programet, duke ngritur shqetësime mes disave se informacionet dhe aftësitë tepër sekrete të Shteteve të Bashkuara mund të jenë në rrezik.

Dhe sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë, evropianë dhe rusë që folën për gazetën The Wall Street Journal, shqetësime të tilla mund të jenë të justifikuara.

Gjatë njërës prej bisedave, thanë zyrtarët, Presidenti rus Putin dyshohet se i kërkoi Musk të mos aktivizonte mbi Tajvanin, si një favor për Kinën, shërbimin Starlink, një filial i kompanisë SpaceX që ofron lidhje satelitore interneti.

"Unë mendoj se kjo duhet të hetohet", tha administratori i NASA-s Bill Nelson në Samitin Botëror të Ekonomisë ‘Semafor’ të premten e kaluar, një ditë pasi gazeta publikoi artikullin e saj.

"Nuk e di nëse kjo histori është e vërtetë", tha Nelson, duke shtuar, se nëse është, "mendoj se kjo do të ishte shqetësuese, veçanërisht për NASA-n, për Departamentin e Mbrojtjes, për disa nga agjencitë e zbulimit".

Rusia dhe Musk mohojnë të ketë patur telefonata të shpeshta

Musk ka mohuar më parë të ketë patur telefonata të shpeshta me Presidentin rus Putin. Në vitin 2022, Musk tha se kishte folur me udhëheqësin rus vetëm një herë, por gazeta The Wall Street Journal tha se ka patur biseda të përsëritura që atëherë.

Musk nuk ka komentuar dhe nuk i është përgjigjur në rrjetin X artikullit të gazetës. Rusia gjithashtu ka mohuar se ka patur biseda të shpeshta mes Presidentit Putin dhe Musk. Dhe Pentagoni deri më tani ka refuzuar të përgënjeshtrojë apo të konfirmojë akuzat.

"E kemi parë raportimin nga The Wall Street Journal, por nuk mund të konfirmojmë vërtetësinë e këtyre njoftimeve", i tha Zërit të Amerikës zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes, Sue Gough në një email të premten vonë.

"[Ne] do t'ju drejtonim tek Musk për të folur për komunikimet e tij private", tha zonja Gough, duke shtuar se me ligj departamenti nuk komenton detajet ose statusin e çertifikatës së sigurisë të asnjë personi.

“Ne presim që të gjithë ata që kanë marrë një çertifikatë sigurie, përfshirë kontraktorët, të ndjekin procedurat e përcaktuara për raportimin e kontakteve me të huajt”, tha ajo.

Ish-zyrtarët e zbulimit amerikan që folën për Zërin e Amerikës thanë se bisedat e raportuara, që kur u konfirmuan nga organizata të tjera amerikane të lajmeve duke cituar burimet e tyre konfidenciale, ngrenë pikëpyetje të rëndësishme.

"Nuk ka dyshim se Rusia po kultivon shumë kanale të mundshme ndikimi në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera perëndimore", tha Paul Pillar, një ish-oficer i lartë i CIA-s, që tani jep mësim në Universitetin Georgetown.

“Rusia do ta konsideronte një sipërmarrës të pasur dhe me ndikim si Musk, si një kanal potencialisht shumë të dobishëm dhe kështu një marrëdhënie që ia vlen të ushqehet”, shtoi ai.

Larry Pfeiffer, ish-shef kabineti në CIA dhe ish-drejtues i lartë i në qendrën operacionale në Shtëpinë e Bardhë, është gjithashtu i kujdesshëm.

“Krijon drithërima”, i tha ai Zërit të Amerikës.

“Nëse njoftimet për bisedat e përsëritura të Musk-ut me Vladimir Putinin janë të vërteta, unë patjetër do të kisha disa shqetësime”, tha Pfeiffer. “Rusia nën Putinin do të kultivojë mbështetje kudo që mundet nëpërmjet blerjes, mashtrimit, apo shtrëngimit”.

“Putini ka shërbime sigurie oportuniste që do të përfitojnë nga çdo mundësi për t'i bërë udhëheqësit e biznesit të huaj të ndikojnë në qeveritë e tyre për t'u lidhur me interesat ruse”, tha ai.

Shqetësimet nuk do të thonë shkelje

Ish-zyrtarët si Pillar dhe Pfeiffer, megjithatë, paralajmërojnë se ka dallim midis shqetësimeve dhe shkeljeve reale.

Ish-zyrtarë të tjerë vënë në dukje se edhe nëse Musk përfshihet në biseda që mund të mos priten mirë nga disa në qeveri, thjesht t’i bësh ato biseda nuk është domosdoshmërisht e paligjshme.

"Amerikanëve u lejohet në thelb të flasin me kë të duan", tha një ish-prokuror për çështje të sigurisë kombëtare, i cili foli për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti. "Nuk ka asnjë kufizim thelbësor".

Dhe në rastin e një individi të profilit të lartë që mbikëqyr kompani me shtrirje globale, bisedat me zyrtarë të huaj mund të jenë të pashmangshme.

“Për një sipërmarrës, mund të ketë arsye komerciale legjitime për t’i patur këto komunikime”, tha ish-prokurori. “Në rastet kur sipërmarrësi i bën këto komunikime, ndoshta për arsye politike, apo edhe në formën e një diplomacie paraprake, kjo bëhet ndoshta më shqetësuese nga perspektiva e kundërzbulimit”.

Gjithashtu mund të mos ketë ndonjë problem ligjor nëse Musk nuk i bën të ditura vullnetarisht bisedat me udhëheqësit e huaj.

Fshehja e bisedave të tilla kur pyetet për to, megjithatë, mund të shkelë në terren penal.

Megjithatë, duke pasur parasysh vlerën që Shtetet e Bashkuara marrin nga kompanitë e Musk, zyrtarët amerikanë mund të ndihen sikur kanë pak mundësi.

“Është një nga ato gjëra të padrejta në jetë që nëse qeveria ka një nevojë unike për ju, mund t’ia hidhni megjithëse keni bërë më shumë gjëra dhe prapë të merrni një çertifikatë sigurie”, tha ish-prokurori. "Dikush që ka vlerë unike do të pranohet më shumë"./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Pastroi 18.3 mln euro të Cosa Notras, vijon gjyqin për Rezart Taçin! Dëshmon drejtori i bankës: Ja si i pikasëm italianët

Pastroi 18.3 mln euro të Cosa Notras, vijon gjyqin për Rezart Taçin! Dëshmon drejtori i bankës: Ja si i pikasëm italianët