/ ATSH / - Nga shoqatat ambientaliste është tërhequr vëmëndja për ndërtimet e kompleksit shumëkatësh poshtë digës së Liqenit Artificial në Tiranë
Në këto ditë kur e gjithë vëmëndja politike dhe mediatike është përqëndruar në zonat e përmbytura, poshtë digës së liqenit kanë nisur punimet dhe po happen gropat për ndërtimin e pallateve  gjigande, në rrugën "Kristo Luarasi".

Në mesin e Janarit  INUK,  ndërpreu punimet te diga e liqenit artificial, për ndërtimin e 17-katëshve në këtë  kompleks. Inspektoriati shtetëror tha në argumentimin e vet se janë shkelur vendimet e qeverisë.

Dhe leja e dhënë nga bashkia është bazuar në akte që nuk kanë marrë ende fuqi. INUK-u tha se vendimi i Bashkisë ishte në kundërshtim me ligjin për planifikimin e territorit. Sipas INUK-ut  vendimi i dhënë nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e këtij kompleksi nuk ishte shoqëruar me planvendosjen e objektit.

Meqënëse ndërtimi është 10 metra larg digës së Liqenit Artificial duhet patjetër të marret  leje nga Komiteti i Digave, i cili është në varësi  të qeverisë. Dhe përderisa dosja nuk është zbardhur tërësisht, akoma nuk ka një konfirmim nëse është marrë leje nga Komiteti i Digave.

Edhe sot vazhdojnë punimet poshtë digës së Liqenit Artificial të Tiranës, ku balta që lëshohet nga kamionët e ndërtimit ka përfshirë rrugët që të nxjerrin në autostradë.