Në Dibër ishte sot vetë kryeministri Edi Rama, ku i ka dhënë fund pritjes së banorëve dibranë, të cilët për vite me radhe u lodhen nga Odiseja e premtimit të pa mbajtur të politikanëve të të gjitha krahëve. Tashmë ka një kompani që ka marrë besimin e qeverisë për ta zbatuar projektin. Pas “Rrugës së Kombit”, “Rruga e Arbrit” konsiderohet projekti më i rëndësishëm infrastrukturor në Shqipëri.
Rama prezantoi projektin për “Rrugën e Arbrit”, një projekt që siç shihet nga videoja e sjellë më poshtë nga Report Tv duket tepër madhështor. Një rrugë e merituar nga dibranët, populli i thjeshtë e punëtor, por fatkeqësisht ndër më të varfrit në vend, që në fakt kjo rrugë pritet t'i rikthejë 'frymëmarrjen'.
Në fjalën e tij, shefi i qeverisë është shprehur se kjo rrugë e cila ka qenë ëndrra e të gjithë dibranëve tashmë është një zotim i mbajtur. Gjithashtu Rama ka folur për rëndësinë që ky aks rrugor ka për të gjithë vendin dhe jo vetëm Dibrën.
"Vitin e ardhëm si e dini të gjithë është viti i Skënderbeut i cili do të fillojë që prej 28 nëntorit. Ky vit si e dini të gjithë i përket pak më shumë se të gjithëve Dibrës. Viti i Skënderbeut është edhe viti i Dibrës pasi 19 prej betejave të tij më të famshme janë bërë në Dibrën, këtë Dibër si dhe atë jashtë kufirit të jashtëm. Por edhe pse kanë kaluar pothuajse 6 shekuj nga koha e Skënderbeut, në këto vende mund të shkohet vetëm me kalë ashut si në kohën e Skënderbeut", tha kryeministri Rama.
"Është fakt se po të shkosh mbrapsh dhe të hapësh librat e Shqipërisë shtet në kët 25 vite të para, gjen më shumë emra koncesionarësh dhe më shumë kontrata koncensionesh për ndarje të galerive të minierave sesa investime. Dibra ka ndihmuar në zhvillimin e vendit shumë më tepër se sa ka mundur të ndihmojë veten sepse mungesa e rrugës që bën shumë kush të stepet para se të vijë këtu dhe nga ana tjetër ka bërë që shumë të tjerë të mos bëhen dëshmitarë të bukurive natyrore",tha Rama i i cili shtoi se "Rruga e Arbërit", ka qenë një premtim fushatash i cili është harruar sapo kanë mbaruar fushatat elektorale.
"Një paraardhësi i imi i cili thoshte se katërvjeçari në të cilin ai iku do të ishte 4- vjeçari i mbarimit të infrastrukturës. Sipas tij 'Rruga e Arbrit' duhet të kishte mbaruar gjashtë vite më parë", tha Rama i cili përmendi disa akse rrugore të cilat janë premtuar për tu realizuar më parë.
"Rruga e Arbrit nuk është më ëndrra e dibranëve që e kanë dashur prej kohësh por është një zotim i mbajtur", tha Rama.
Gjithashtu kryeministri është shprehur se kjo rrugë do të jetë me një standard europian ndryshe nga të gjitha rrugët e ndërtuara deri më sot në Shqipëri.
"Ne duam që të gjitha këto rrugë të jenë me standarde europiane dhe këtë gjë e duam për të gjitha akset rrugore të Shqipërisë. Ne jemi të përgatitur për këtë gjë dhe më vjen shumë mirë që rruga e parë me standarde të atilla do të jetë "Rruga e Arbrit" e cila është e mrekullueshme", deklaroi kryeministri i i cili shtoi se: " Kjo rrugë do të sjelli edhe shumë persona të cilët kanë emigruar prej kohësh për të investuar në zonë".
Kryeministri ka folur edhe për sa i përket projektit të parë të projektit për Rrugën e Arbrit.
"Projekti që në fillim kishte shkelje të standardeve europiane. Nëse do të vazhdonim me atë projekt nuk do të mund ta përfundonim dot, nuk do të mund të lidhnim Tiranë me të. Do të ishte një tjetër rrugë e lënë rrugëve. Nuk ishte parashikuar degëzimi i Klosi duke mos u dhënë akses për vetëm 3.5 kilometra. Vlera e këtij projekti me pothuajse gjysmën e kilometrave që do të ndërtohen sot, ishte më e madhe se sa vlera e këtij projekti i cili është dyfish me kilometra", tha Rama.
" Përfitoj nga rasti tu them të gjithëve se kemi një buxhet i cili është 42 % më shumë se ai i mëparshmi. këto financime do të përdoren për kanalizimet dhe rrugët", shtoi Rama.
[gallery]24641[/gallery]
Gjithashtu nga Dibra kryeministri ka folur edhe për aksionin e ujit. Ai është shprehur se tashmë uji konsiderohet si nafta e shekullit të 21 dhe Shqipëria është një nga vendet më të pasura me ujë por keq menaxhohet.
"Puseve industriale do ti vendosen matës. Sot ka kompani të cilat shpenzojnë mijëra litra ujë dhe ky ujë del nga poshtë", tha Rama i cili shtoi se kjo gjë është diçka normale në vendet e Europës .
"Nga ana tjetër investimet në ujësjellsa të cilat i kemi rritur si fond do t'i bëjmë për ato bashki që bëjnë këtë dhe jo merr këndej dhe hidh andej. Po të shikoni se sa para janë shpenzuar në nga arka e shtetit që janë paratë tuaja, tonat, mjaftonin të ndërtoheshin të gjithë ujësjellsat e vendit", shtoi kryeministri.
Rama ka folur edhe fondin 1 miliardë për të cilin tha se do të ndihmojë në zhvillimin e vendit. Gjithashtu kreu i qeverisë tha se do të përfundohen edhe akset në jug të vendit të cilat kanë mbetur përgjysmë.
"Në këto katër vite do të bëjmë shumë më tepër se sa kemi bërë në katër vitet e para. Do të japin shpresë dhe zhvillimin të gjithë njerëzve të këtij vendi", përfundoi kryeministri.
Redaksia Online
D.T. d.c./Shqiptarja.com

VIDEO










