KsamilFlorian Kofina, 38 vjeç, i gjetur i vdekur pranë Gjirit të Barxhos në Ksamil të hënën, dyshohet se humbi jetën prej një arresti kardiak me pasojë mbytjen. Ky është rezultati i ekspertizës paraprake të kryer në Sarandë, nga e cila nuk ka rezultuar të ketë shenja në trup të shkaktuara nga mjete lundruese.

Gjithsesi, trupi i pajetë i të riut i është nënshtruar një ekspertizë të thelluar mjeko-ligjore në Tiranë, e cila do të japë rezultatin final të vdekjes.

Personat që gjetën fillimisht trupin e pajetë të 38-vjeçarit i thanë policisë se dyshonin të jetë goditur me jet ski, pasi në distancë janë parë disa mjete lundruese të tilla. Për këtë arsye, grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit të çështjes, nisi punën duke kryer veprime në vendin e ngjarjes, për të parë nëse qëndrojnë apo jo dëshmitë.

Nga ekspertiza ka rezultuar se në trupin e 38-vjeçarit nuk ka asnjë dëmtim të jetë shkaktuar nga jet ski, përveç një gërvishtjeje të vogël në pjesën e gjoksit, për të cilën ekspertët dyshojnë se është shkaktuar nga përplasja me shkëmbinjtë pasi kishte ndërruar jetë.

Burime bëjnë me dije se mushkëritë i kishte të mbushura plotë me ujë, çka tregon se i riu është mbytur dhe nuk ka gjetur vdekjen nga përplasje me jet ski, e cila përndryshe do te shkaktonte prerje të shumta në trup dhe thyerje kockash, gjë që në rastin në fjalë asgjë e tillë nuk është konstatuar në trupin e Kofinës.

Hetuesit kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje pronarin e jet ski dhe drejtuesin e saj, të cilët janë lënë të lirë pasi nga të gjitha të dhënat hetimore nuk kanë rezultuar të kenë pasur dijeni. Zona ku trupi i Florian Kofinës është gjetur konsiderohet e rrezikshme dhe ndalohet notimi.