Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka ngushëlluar kryeministrin e Kosovës për ndarjen nga jeta të babait të tij, Hilmi Haradinaj.
Meta në mesazhin e tij thotë se Hilmi Haradinaj, do të mbahet mend gjatë në memorien e shqiptarëve për luftën e rreptë kundër Serbisë dhe pro Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me hidhërim të madh mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Hilmi Haradinajt, këtij patrioti të madh të luftës çlirimtare të Kosovës, babai i dy heronjve të UÇK-së, Luanit dhe Shkëlzenit që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, i cili shtëpinë e familjen e tij e ktheu në kështjellë të pamposhtur të qëndresës dhe luftës për liri kombëtare.
Ai ishte një burrë i traditës, mikëpritjes dhe atdhedashurisë.
Kam pasur fatin e madh ta njoh nga afër dhe të ndjej mikëpritjen bujare të këtij njeriu të madh.
Ngushëllime të thella Familjes Haradinaj, të afërmve dhe miqve të tij të panumërt. Shpirti i tij u Prehtë në paqe!
Presidenti Ilir Meta