AK: BEJKO MARTIR, DO FRYMEZOJE REVOLTEN PER LIRI
Ora 18: 25 Aleanca Kuq e Zi në reagimin e saj akuzoi kryeministrin.“Regjimi Berisha vazhdon të mbjellë viktima.” Për Aleancën Kuq e Zi, "Lirak Bejko është martir i cili do të frymëzojë revoltën për liri ndërsa Berisha takon serbët dhe refuzoi grevistët” tha AK duke iu referuar takimit të kryeministrit me ministrin serb Mrkiç një javë më parë.
RAMA: BEJKO TJETER VIKTIME E ARROGANCES SE QEVERISE
Ora 18:00 Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama theksoi se përgjegjës për këtë akt është “indiferenca arrogante e qeverisë.” Rama tha se ish-grevisti Bejko "është shqiptari i 31-të që ndahet nga jeta për shkak të të kësaj arrogance vrastare, pas 26 të vrarëve në Gërdec dhe 4 të vrarëve në protestën e 21 janarit.”
“Jam i shokuar nga vdekja jonatyrale e Lirak Bejkos, i burgosuri politik që nuk arriti t'i mbijetojë vuajtjes së shkaktuar nga indiferenca barbare e qeverisë. Është tragjedia e një familjeje të varfër që nuk pa një ditë të bardhë as nën regjimin e egër të Enver Hoxhës as në kohët e zymta të Sali Berishës. Por është edhe më shumë se kaq, një tragjedi tronditëse për Shqipërinë e votave të vjedhura, premtimeve të pambajtura, zhgënjimeve të pambarimta. Është tragjedia e një kauze të drejtë përballë një qeverie të padenjë për çdo të burgosur politik të regjimit komunist, e cila u soll me Lirakun dhe grevistët e tjerë po aq çnjerëzisht sa ç'sillej edhe ai regjim kur të burgosurit kërkonin të drejta përmes grevave të urisë. Madje ende më keq në këtë rast fatkeq, sepse i burgosuri që i mbijetoi dhunës së atij regjimi nuk i mbijetoi dot arrogancës së kësaj qeverie. Lirak Bejko është shqiptari i 31-të që ndahet nga jeta për shkak të kësaj arrogance vrastare, pas 26 të vrarëve në Gërdec dhe 4 të vrarëve në protestën e 21 janarit. Që të gjithë njerëz të zakonshëm të këtij vendi që sot nuk jetojnë më pikërisht sepse të zakonshmit për këtë qeveri janë mish për top, edhe kur i vret, edhe kur i dhunon, edhe kur i vjedh, edhe kur i gënjen. Edhe për Lirakun, edhe për të tjerët që humbën jetën tragjikisht si ai, edhe për shumë e shumë të tjerë që sot tërhiqen zvarrë në rrugët e mbijetesës, është koha të bëhemi të gjithë bashkë për një Rilindje Shqiptare. Për një demokraci të re, një shoqëri të re, një ekonomi të re dhe një Shqipëri të re në Evropë.”, lexohet në njoftimin e zyrës së shtypit të PS.
SEQUI: VETEDJEGIA AKT DESHPERIMI
Ora 17:30 Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi tha se zjarrëvënia është akt dëshpërimi. “Unë i takova grevistët për të ditur shkaqet e grevës dhe i porosita që të mospërdoren politikisht”, tha ambasadori i BE-së. Sequi theksoi se përgjigjia e tij për këtë akt është: “Zbatimi i ligjit, dialog dhe mospërdorja politike”.
BIBERAJ: I VETMI PERGJEGJES, BERISHA
Ora 16:23 Në një prononcim për Tv A1Report, bashkëthemeluesi i Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj, pasi shprehu keqardhje për ndarjen nga jeta të Lirak Bejkos, bëri përgjegjës të drejtpërdrejtë kryeministrin e vendit Sali Berisha, i cili sipas tij, në vend të dialogonte me ta i quajti terrorist e kriminelë. Biberaj theksoi se ky veprim, edhe pse nuk mund të kthejë jetën pas, është një apel për qeverinë.
“Siç jam ndjerë unë keq janë ndjerë dhe shumë shqiptarë të tjerë, por sidomos ish-të përndjekurit politik. Ai sakrifikoi jetën për idealet e tij. Ceremonia mortore dhe gjithçka tjetër do të mbulohet nga ne. Jeta e tij s’mund të kthehet më, por është një apel për këtë qeveri të korruptuar. Refuzimi i dialogut na sjell modele të qeverisjes komuniste që i detyroi ata të shkojnë në akte vetëflijimi. Të vjen keq që sot Shqipëria drejtohet nga kryeministri që i etiketoi terrorist, kriminel, të kujton Enver Hoxhën. Përgjegjëse direkt është qeveria dhe kryeministri aktual, Sali Berisha. Mund të ketë reagime hipokrite nga qeveria, por nuk i besoj. Qeveria kishte një muaj kohë për të treguar humanizmin e saj, por nuk e bëri veçse i ofendoi dhe i akuzoi.”, tha për Tv A1Report, bashkëthemeluesi i Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj.
Redaksia Online
(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)