Ndërroi jetë në moshën 100-vjeçare, liderët e botës nderojnë ish-presidentin Carter! Biden: Humbëm një lider të madh

Ndërroi jetë në moshën 100-vjeçare, liderët e botës nderojnë ish-presidentin Carter! Biden: Humbëm një lider të madh

Jimmy Carter

Një “gjigant”. Një “shembull humaniteti”. Heroi, njeriu i paqes, ai që “post-presidenca e tij pati ndikimin më të madh në historinë e Amerikës”. Homazhet e liderëve botërorë për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter, i cili ndërroi jetë dje në moshën 100-vjeçare, i bashkon një fije e përbashkët: të gjithë e njohin humanizmin e një figure historike, i cili në fund të viteve ’70, punoi për të sjellë paqe, për të nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga izolimi, për të promovuar luftën për mbrojtjen e mjedisit dhe që, së bashku me gruan e tij Rosalynn, e cila ndërroi jetë vitin e kaluar, u bë një figurë universale për përkushtimin e tij humanitar në shërbim të më të varfërve.

“Bota - deklaroi presidenti Joe Biden - ka humbur një lider dhe një burrë shteti të jashtëzakonshëm”. “Për gjashtë dekada - shtoi ai bashkë me gruan Jill - kemi pasur nderin ta konsiderojmë Jimmy Carter mik. Por ajo që ishte më e jashtëzakonshme është se miliona njerëz në të gjithë Amerikën dhe botën, të cilët nuk e kanë njohur kurrë personalisht, e mendonin atë si një mik të dashur”. “Me dhembshurinë e tij - theksoi ai - dhe qartësinë morale, Jimmy punoi për të çrrënjosur sëmundjet, për të ndërtuar paqen, për të promovuar të drejtat civile dhe njerëzore, për të mbështetur zgjedhje të lira dhe të ndershme, për t’u dhënë një shtëpi të pastrehëve. Ai shpëtoi, ngriti dhe ndryshoi jetët e njerëzve në mbarë globin”. Presidenti amerikan në largim ka urdhëruar mbajtjen e një funerali shtetëror në Washington D.C. më 9 janar.

“Sfidat që Jimmy u përball si president - kujtoi Donald Trump në Truth - erdhën në një moment kritik për vendin tonë dhe ai bëri gjithçka me fuqinë e tij për të përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve. Për këtë, të gjithë ne i jemi mirënjohës”.

Nënpresidentja Kamala Harris vuri në dukje butësinë dhe mençurinë. “Jeta dhe shembulli i tij - shtoi ajo - do të vazhdojnë të më frymëzojnë mua dhe brezat që do të vijnë”. Inspirimi ishte një term i përdorur edhe nga ish-presidenti George W. Bush, i cili kujtoi se angazhimi i Carter Center përfaqësoi një shembull shërbimi për të tjerët, që do të frymëzojë amerikanët për breza.

Barack dhe Michelle Obama e përshkruan post-presidencën e tij si “më të gjatë dhe me ndikimin më të madh në historinë e Amerikës”. “Sa herë - shtoi Obama - që pata mundësinë të kaloj kohë me presidentin Carter, ishte e qartë se ai nuk predikonte vetëm vlerat e tij, por i mishëronte ato, dhe duke bërë këtë na mësoi të gjithëve se çfarë do të thotë të jetosh një jetë me hir, dinjitet, drejtësi dhe në shërbim të të tjerëve”.

Një tjetër çift ish-presidencial, Bill dhe Hillary Clinton, shprehën mirënjohje “për jetën e gjatë dhe të mirë të presidentit Carter, i cili udhëhoqi me besimin e tij për të shërbyer të tjerët, vërtet deri në fund”. Clinton-ët kujtuan, jo rastësisht, ndër arritjet e tij si president angazhimin për të “rikthyer Kanalin e Panamasë”, që Trump e përmendi kohët e fundit. Të njëjtin referim për Panamanë e bëri edhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken, duke kujtuar punën e ish-presidentit për të nxjerrë Amerikën nga izolimi, kur “kuptoi se fati i amerikanëve ishte i lidhur me atë të popujve të vendeve të tjera”.

Antonio Costa, kryeministri i Këshillit Europian, theksoi se Carter “vendosi të drejtat e njeriut, dinjitetin njerëzor dhe paqen në qendër të jetës së tij politike. Trashëgimia e tij është burim frymëzimi”. Kandidatja demokrate për guvernatore të Georgias, Stacey Abrams, e përshkroi atë si një “gjigant që kurrë nuk bëri askënd të ndihej më i vogël se ai”. Guvernatori republikan Brian Kemp gjithashtu bëri homazhe për figurën e tij: “ai i tregoi botës ndikimin që shteti ynë dhe njerëzit e tij kanë në vend”.

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi: “gjatë gjithë jetës së tij, Jimmy Carter ishte një mbrojtës i palëkundur i të drejtave të më të pambrojturve dhe luftoi pa u lodhur për paqen”. Departamenti për Çështjet e Veteranëve do të mbajë flamurin në gjysmë shtize në ditën e inaugurimit të presidencës së re për të nderuar jetën e Carter.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se Jimmy Carter ishte president i SHBA-ve kur Ukraina ende nuk ishte e pavarur, por “zemra e tij ishte e lidhur ngushtë me luftën tonë të vazhdueshme për liri. E vlerësojmë thellësisht angazhimin e tij të palëkundur ndaj besimit të krishterë dhe vlerave demokratike, si dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për Ukrainën përballë agresionit të pajustifikuar të Rusisë”, deklaroi Zelensky në X.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga ndarja nga jeta e presidentit të 39-të të Shteteve të Bashkuara, James Earl Jimmy Carter Jr.”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. “Lidershipi i presidentit Carter dha një kontribut të rëndësishëm në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjet historike të Camp David, traktatin Salt dhe ato për Kanalin e Panamasë”. Guterres përmendi gjithashtu rolin e tij kyç në ndërmjetësimin e konflikteve, promovimin e demokracisë dhe çrrënjosjen e sëmundjeve. “Këto dhe përpjekje të tjera - kujtoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së - i sollën atij Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2002 dhe ndihmuan në promovimin e punës së Kombeve të Bashkuara”.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi e quajti ish-presidentin Jimmy Carter “simbol të përpjekjeve humanitare” për rolin e tij në ndërmjetësimin e marrëveshjeve historike të Camp David të vitit 1978, të cilat vendosën paqen midis Egjiptit dhe Izraelit.

“Roli i tij i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes së paqes midis Egjiptit dhe Izraelit do të mbetet i skalitur në analet e historisë, dhe puna e tij humanitare është shembull i standardeve të larta të dashurisë, paqes dhe vëllazërisë”, deklaroi lideri egjiptian në një postim në X.

Mbreti Charles III iu bashkua liderëve të botës në shprehjen e ngushëllimeve për vdekjen e Jimmy Carter. “Me trishtim të madh mora lajmin për vdekjen e ish-presidentit”, deklaroi mbreti i Anglisë. “Ai ishte një shërbëtor i përkushtuar publik dhe ia kushtoi jetën promovimit të paqes dhe të drejtave të njeriut. Përkushtimi dhe përulësia e tij ishin burim frymëzimi për shumëkënd, dhe e kujtoj me shumë dashuri vizitën e tij në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1977”, shtoi ai.

Kryeministri britanik Keir Starmer vuri në dukje në një postim në X kontributin e veçantë të Jimmy Carter përmes ndërmjetësimit të marrëveshjeve të Camp David midis Izraelit dhe Egjiptit dhe përmes punës së tij me Carter Center. “I motivuar nga besimi dhe vlerat e tij të forta, presidenti Carter e ka ridimensionuar periudhën post-presidenciale me një angazhim të jashtëzakonshëm për drejtësinë sociale dhe të drejtat e njeriut, brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi Starmer.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Analisti: 30/12/2024 08:13

    Asnje nga presidentët e Amerikës nuk i afrohet përjashtuar, Biden.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Sfidat e BE-së në vitin e ri 2025

Sfidat e BE-së në vitin e ri 2025