Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2002, Jimmy Carter, ka ndërruar jetë në moshën 100-vjeçare. Radhë të gjata para pompave të karburantit për shkak të rritjes së papritur të çmimit të naftës pas revolucionit iranian të vitit 1979 dhe ankthi për fatin e 52 anëtarëve të ambasadës amerikane në Teheran, të marrë peng nga studentët islamikë, të cilët për 14 muaj mbajtën Amerikën pezull.
Kështu do të mbahen mend kryesisht katër vitet e Jimmy Carter-it në Shtëpinë e Bardhë, si presidenti i 39-të amerikan midis viteve 1977 dhe 1981.
Ai ishte 100 vjeç dhe ish-presidenti më jetëgjatë në historinë e Amerikës, duke i mbijetuar një tumori në vitin 2015 dhe një rënieje të rëndë në shtëpi në vitin 2019. Ai lë pas katër fëmijë: John, James, Donnel dhe Amy, për të cilën ndërtoi një shtëpizë druri në pemën e Shtëpisë së Bardhë, në përpjekje për t’i dhënë një fëmijëri sa më normale brenda kafazit të artë të Uashingtonit.
James Earl Carter, i njohur si Jimmy, ishte gjithmonë një njeri i një kohe tjetër, jo vetëm për shkak të datëlindjes së tij. Ai e kaloi thuajse gjithë jetën e tij në Plains, Georgia, ku kishte lindur më 1 tetor 1924 në një familje baptiste që kishte pasur sukses me një fermë pambuku, të cilën ai e riktheu në një fermë për prodhimin e kikirikëve.
Në këtë rajon, dikur mbretëri e fermave të pambukut dhe kikirikëve, e cila sot ka një nivel varfërie prej 40 për qind, ai u rikthye të jetonte në vitin 1981, pasi humbi zgjedhjet nga Ronald Reagan pas katër vitesh presidencë që në atë kohë konsiderohej e dobët dhe e shoqëruar me trazira nga revolucioni iranian dhe kriza energjetike.
Por edhe me sukseset si ndërmjetësimi i marrëveshjeve të Camp David, aksidenti bërthamor në Three Mile Island dhe pushtimi sovjetik i Afganistanit, të cilit iu përgjigj me një embargo drithi dhe bojkotimin e Lojërave Olimpike të Moskës në vitin 1980.
Ai u quajt ish-presidenti më modest: jo vetëm sepse u rikthye të jetonte në një fermë me dy dhoma gjumi, vlera e së cilës sot llogaritet 167 mijë dollarë, por sidomos sepse gjithmonë refuzoi të përfitonte financiarisht nga përvoja e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ai nuk pranoi të hynte në bordet e drejtorëve të kompanive apo të mbante fjalime me pagesë, siç kishin bërë paraardhësit e tij.
“Refuzoj të kapitalizoj shërbimin tim ndaj Amerikës,” thoshte ai. “Nuk gjykoj ata që e bëjnë, por nuk është ambicia ime të jem i pasur.”
Ish-oficeri i marinës, para se të hynte në politikë, kishte shërbyer në nëndetëse dhe më pas kishte marrë përsipër drejtimin e fermës familjare pas vdekjes së të atit. Ai nisi karrierën politike në nivel lokal gjatë viteve të nxehta të luftës për të drejtat civile. Në vitin 1962 u frymëzua nga angazhimi i John Fitzgerald Kennedy dhe në vitin 1970 u bë guvernator i shtetit të Georgias.
“Koha e ndarjes racor ka mbaruar,” deklaroi në fjalimin e tij të inaugurimit.
Kur në vitin 1976 fitoi garën presidenciale, Amerika ishte ende e plagosur nga skandali Watergate dhe dorëheqja e Richard Nixon-it. Ai mundi lehtësisht republikanin Gerald Ford.
Si akt i parë, ai kërkoi të shëronte traumat e Vietnamit me një amnisti për ata që refuzuan të shkonin në luftë, gjë që e bëri të papëlqyer nga ushtria. Megjithatë, ai punoi gjithmonë për paqen, nga Camp David deri te negociatat e SALT.
Pas daljes nga jeta politike, Carter themeloi në vitin 1982 organizatën jofitimprurëse “Carter Center” në Atlanta, për të promovuar paqen dhe të drejtat njerëzore në botë.
Përmes aktivitetit të këtij qendre, ai ndërmjetësoi për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare dhe mbajti angazhime të jashtëzakonshme për të drejtat e njeriut dhe si vëzhgues zgjedhjesh në shumë vende të botës. Për këto arsye, në vitin 2002 ai u nderua me Çmimin Nobel për Paqe.