TIRANE- Pas akuzave të familjarëve të Doktor Florit se ambulanca është vonuar policia e Tiranës ka nisur hetimet për vdekjen e këngëtarit. 35-vjeçari humbi jetën një ditë më parë, ndërsa në kartelën mjekësore shkruhet “për një dyshim të atakut kardiak”. Por pas akuzave të familjarëve për vonesë të ambulancës, “përplasje” është krijuar me Urgjencën e QSUT, sipas së cilës ambulanca ka mbërritur në shtëpinë e të ndjerit 3 minuta pas njoftimit. Nga Urgjenca e Tiranës kanë thënë se gruaja e Dr.Florit në fillim ka njoftuar për gjendje të dehur të bashkëshortit. Urgjenca e Tiranës thotë se është zbatuar me përpikëri protokolli, duke hedhur kështu poshtë akuzat e familjarëve të këngëtarit.
 
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke sqaruar të gjithë ngjarjen.
 
“Një grua me fëmijë shkoi te Urgjenca për ndihmë. Ajo kërkoi ndihmë për dikë që kishte probleme me alkoolin. Në raste të tilla, ambulanca shoqërohet edhe nga policia. Një oficer policie shoqëron ambulancën nëse i alkoolizuari është i dhunshëm. Gruaja nuk pranoi që të shoqërohej nga policia”, tha Beqaj.
 
Ministria e Shëndetësisë sqaron se bazuar në të dhënat e dokumentuara të Shërbimit të Urgjencës së Tiranës bën me dije se në rastin e pacientit Floran Kondi, janë ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara nga ky shërbim.
 
"Në momentin e parë kur ndihma është kërkuar nga familjarët, këta të fundit kanë pohuar se pacienti është në gjendje të dehur. Në të tilla raste, udhëzuesi i urgjencës parashikon edhe praninë e Policisë së Shtetit, që duhet të shoqërojë ekipin mjekësor. Familjarët nuk kanë pranuar të marrin shërbimin mjekësor të shoqëruar edhe nga forcat e policisë. Më pas, ndihma është kërkuar nëpërmjet telefonit, ku ekipi i mjekëve i shoqëruar me autoambulancë kanë kryer çdo procedurë në përputhje me rregullat dhe protokolle e urgjencës, duke shoqëruar pacientin në shërbimin e urgjencës së QSUT-së", theksohet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kryesisht procedim penal për "mosdhënie ndihme"
Ndërkaq, edhe Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kryesisht procedimin penal për "Mosdhënie ndihme", parashikuar nga neni 97 i Kodit Penal për rastin e vdekjes së shtetasit Floran Kondi (Dr. Flori).
 
Sipas Prokurorisë po punohet intensivisht për marrjen në pyetje të personelit mjekësor dhe familjarëve të tëe ndjerit.
 
Ndërsa pritet realizimi i ekspertizës mjeko-ligjore për të zbardhur shkaqet e vdekjes së këngëtarit Floran Kondi, i cili ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë.


Procedura e plotë e ndjekur nga Shërbimi Mjekësor i Urgjencës për Dr Florin

Më datë  17. 11. 2014, në orën 9:45 minuta, është paraqitur pranë shërbimit të Urgjencës Tiranë, një grua e cila nuk ka pranuar të identifikohej, për të kërkuar ndihmë, pasi burri i saj kishte konsumuar alkool dhe ishte shumë i axhituar.
 
Në shërbimin e Urgjencës ka qenë mjek primar  E. D., dhe infermier primar A. Sh.  Nga ky i fundit i është thënë familjares se, në të raste të tilla kur pacienti është shumë i axhituar, ekipi mjekësor duhet të shoqërohet nga policia e rendit. Gruaja nuk ka pranuar praninë e policisë dhe është larguar.
 
Më pas, në orën 10:05 minuta është lajmëruar me telefon urgjenca dhe është dërguar menjëherë autoambulanca me ekip mjekësor  A. K., infermier N. S., dhe shofer M. A. Pacienti është gjetur pa shenja jete nga ekipi mjekësor; i është dhënë ndihma e parë me anë të procedurës së reanimimit zemër-mushkëri, i është injektuar “Adrenalinë”. Menjëherë, pacienti është dërguar në QSUT nga autoambulanca e Shërbimit të Urgjencës. Çdo procedurë e ndjekur për rastin e djeshëm është e dokumentuar tek regjistri i vizitave të shërbimit të urgjencës.
 
Fatkeqësisht, kohët e fundit janë përcjellë tek publiku informacione që kanë rezultuar të pasakta dhe të paplota lidhur me funksionimin e shërbimit të urgjencës. Kështu, edhe përsa i përket shërbimit mjekësor të ofruar nga Urgjenca e Tiranës për ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e ditës së martë, dt. 4/11/2014, u provua faktikisht se informacioni i përhapur në media, ku aludohej për mungesë autoambulancash dhe ekipesh mjekësore, apo vonesë në kohën e mbërritjes në vendngjarje, ishte i pasaktë dhe paplotë. Që nga moment i parë i marrjes së telefonatës, të dy autoambulancat, me ekipet përkatëse mjekësore, të përbëra nga mjeku, infermieri dhe shoferi, janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes dhe kanë mbërritur në një kohë shumë të shpejtë.
 
Ministria e Shëndetësisë, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm të medias në përcjelljen e informacioneve me interes për publikun, përfshirë edhe ato të shëndetësisë, ju fton që përpara përcjelljes së informacioneve të ngjashme që lidhen me çështje të ndjeshme të shëndetit publik, por edhe me ndikim në sigurinë publike, të konfirmoni burimet tuaja me informacionin zyrtar të përcjellë nga institucionet e sistemit të kujdesit shëndetësor.
 
 
Redaksia Online
(shqiptarja.com)