TIRANE - Politika shqiptare por edhe Kryeministri italian Matteo Renzi, në vizitën e tij në vendin tonë ditën e sotme, kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjarëve të dy marinarëve civilë shqiptarë Petrit Jahaj 59 vjeç dhe Edmond Hilaj 57 vjeç që humbën jetën mëngjesin e sotëm gjatë rimorkimit të tragetit “Norman Atlantic”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, përmes një komunikate për shtyp, ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e dy marinarëve shqiptarë pjesëtarë të ekuipazhit të rimorkiatorit “Iliria”, ndërsa shton se edhe pse ata nuk kanë qenë pjesë të Forcave të Armatosura, dhanë kontributin e tyre të vyer në përpjekjen ndërkombëtare për të evituar një katastrofë.

Ndërkohë edhe kryeministri italian Renzi, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e dy marinarëve civilë shqiptarë.

Sakaq edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shrephur ngushëllimet e tij për Petrit Jahajt dhe Edmond Iliajt, ndërsa shton se është detyrë e shtetit shqiptar ndihma e plotë për familjet e viktimave. 

Rama: ngushëllime familjarëve, dy marinarët kontribut të vyer
Kryeministri Edi Rama, pëermes një komunikate për shtyp ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e marinarëve civilë shqiptarë Petrit Jahajt dhe Edmond Iliajt gjatë mëngjesit të sotëm, në përpjekjen për të rimorkiuar tragetin “Norman Atlantic”.

Në fjalën e tij, Rama shpreh vlerësimin e tij për kontributin e dhënë nga dy marinarët civilë ndërsa shton se qeveria shqiptare do të angazhohet maksimalisht për sjelljen e dy trupave të pajetë në Shqipëri si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Kryeministri Edi Rama mësoi me dhimbje, humbjen e jetës së dy marinarëve shqiptarë, pjesëtarë të ekuipazhit të rimorkiatorit “Iliria”. Kryeministri u shpreh ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin më të lartë njerëzor, familjeve të dy marinarëve, për humbjen e jetës së njerëzve të shtrenjtë të tyre. Edhe pse jo pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare që morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit të jetëve të pasagjerëve në bordin e “Norman Atlantic”, marinarët shqiptarë dhanë një kontribut të vyer në përpjekjen ndërkombëtare për të evituar një katastrofë. Qeveria është tërësisht e angazhuar në sjelljen e dy trupave të pajetë në tokën shqiptare dhe në zbardhjen sa më shpejt të rrethanave të aksidentit që u mori jetën.” thuhet në komunikatën për shtyp.
 
Renzi: Ngushëllimet për dy marinarët e vdekur
Kryeministri i Italisë Matteo Renzi, në vizitën e tij në Shqipëri ditën e sotme, ka shprehur ngushëllimet e tij dhe të shtetit italian, për vdekjen e dy marinarëve civilë shqiptarë.
Renzi i shprehu ngushëllimet gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

“Shpreh ngushëllimet për dy marinarët shqiptarë që humbën sot jetën në anijet e shpëtimit.” u shpreh Renzi

renzi
 
Basha: Ngushëllime, personeli shqiptar tregoi profesionalizëm
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e dy shqiptarëve mëngjesin e sotëm, të cilët humbën jetën në bordin e anijes “Iliria” gjatë përpjekjes për të rimorkiuar tragetin “Norman Atlantic”.

Ngushëllimet kreu i PD, Basha i shprehu përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa vlerëson edhe ndihmën e dhënë nga ana e personelit shqiptar për kontributin e dhënë në operacionin e shpëtimit në tragetin e përfshirë nga flakët.

“Përgëzime dhe vlerësime meritojnë ushtarakët tanë, ekuipazhi i "Butrintit" dhe gjithe personeli mbështetës që kontribuan me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë ne operacionin e shpëtimit te Norman Atlantic. Ngushëllimet e mija për familjarët dhe miqtë e Petrit Jahajt dhe Edmond Iliajt, marinarëve që humbën jetën në operacionin e shpëtimit. Është detyrë e shtetit ndihma e plotë dhe e gjithanshme për familjet e tyre dhe e mbarë nesh solidarizimi me dhimbjen e tyre.” shprehet Basha në Facebook. 

basha fb

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)