Filmi ikonik “Vdekja e Kalit” do të hapë Festivalin e Filmit Shqiptar në Berlin, një ngjarje që po sjell në qendër të vëmendjes së audiencës gjermane kinematografinë shqiptare dhe filmat klasikë të Kinostudios.

Organizatori kulturor Elson Zguri, i ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV, tregoi detaje nga festivali retrospektiv që organizohet nga kinemaja “Babilon” me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare në Berlin.Ai e cilësoi një nder përfshirjen në programimin e festivalit dhe veçoi pjesëmarrjen e aktorit të njohur Timo Flloko në ceremoninë hapëse.

“Është një iniciativë e marrë nga kinemaja ‘Babilon’ me mbështetje të Ambasadës shqiptare në Berlin. Është një festival retrospektiv i kinemasë shqiptare, duke nisur nga filmat e Kinostudios që nga vitet ’60. Për mua është një nder i madh të merresha me programin dhe kur dëgjova që në hapje do të kemi zotin Timo Flloko. Berlini ka nisur tashmë të ketë shumë shfaqje filmash shqiptarë dhe kinematografia jonë është në rritje, dhe publiku i Berlinit që i ka qejf filmat e vjetër klasikë, është një gjë shumë e mirë. Ndihem i nderuar" tha ai. 

Sipas Zgurit, publiku gjerman po tregon interes të madh për filmat klasikë shqiptarë.

"Berlini ka nisur tashmë të ketë shumë shfaqje filmash shqiptarë dhe kinematografia jonë është në rritje, dhe publiku i Berlinit që i ka qejf filmat e vjetër klasikë, është një gjë shumë e mirë. Ndihem i nderuar. Ka 2-3 muaj që i gjithë qyteti po flet për filmat shqiptarë" tha ai

Festivali do të zgjasë deri më 13 maj dhe do të sjellë një program të pasur me 27 filma shqiptarë.

"Kemi 9 filma të restauruar dhe 9 filma me metrazh të gjatë dhe 9 të tjerë me metrazh të shkurtër, pra kemi 27 filma dhe në një javë, këto filma do të shfaqen 3-4 herë. Brenda kësaj jave do të kemi 40-50 shfaqje. Ky festival do të jetë i përvitshëm” tha Zguri,