Byroja Federale Gjermane e investigimit të aksidenteve ajrore është njësia e cila pritet të hedh dritë mbi pamjet e kamerës së sigurisë të helikopterit të forcave të armatosura përfshirë në aksidentin tragjik të 6 Prillit.
 
Siç dhe shihni në këtë faksimile kjo është një zyrë e specializuar e hetimeve për kutitë e zeza kamerat e sigurisë apo pajisjeve të sigurisë të Helikopterëve, avionëve si dhe mjeteve të fluturimit.
 
Prej më shumë se 20 ditësh karta e memories e kamerës së sigurisë të helikopterit është dërguar nga prokuroria në Gjermani, por ende nuk ka një përgjigje nëse janë rikuperuar apo jo pamjet filmike.
 
Këto pamje do t’i shërbejnë hetimit për të zbardhur momentet e fundit të veprimeve të pilotëve por dhe mjetit fluturues të përfshirë në aksidentin ku humbën jetën dy pilotët e ushtrisë shqiptare.

Mjeti filmues u gjet 3 ditë pas rrëzimit të Helikopterit të FA në liqenin e Shkodrës, saktësisht në datën 9 prill, pas kërkimeve intensive nga polumbarët e RENEA-s dhe Forcave të Armatosura. 

Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes shkarkoi nga detyra shefin e Sigurisë së Helikopterëve të Ushtrisë në bazën e Farkës, Altin Lama, për thyerje të disiplinës në punë. Ditën e aksidentit ai ndodhej fiktivisht në punë, ndërkohë që ishte duke pilotur mjetin fluturues të një kompanie private. 

Mesdita e 6-prillit do të rezultonte tragjike për pilotët e FA, Donald Hoxha e Floran Delia, të cilët bashkë me togerin Gerald Baramuça ishin duke pilotuar helikopterin e Ushtrisë EC 145, i cili u aksidentua në Liqenin e Shkodrës. Pilotët Hoxha e Delia humbën jetën në vend, ndërsa i plagosur mbeti Baramuça.