Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, Veliaj deklaroi se ftesa i është drejtuar të gjithë qytetarëve për të mbjellë një pemë kudo ku ata e mendojnë dhe pa detyruar askënd. Duke iu drejtuar kreut të këshilltarëve të djathtë Kreshnik Çollaku, Veliaj u shpreh se janë bërë të gjithë verifikimet dhe se histeria me të cilin analisti i djathtë fliste për pemën që do të prodhojë më shumë oksigjen edhe për fëmijën e tij, indinjon këdo.
“Ne kemi bërë një ftesë publike për këdo. Mbillni kudo. Është një e mirë për qytetin. Bëhet kudo në botë. Në Amerikë, vajzat e djemtë e vegjël, edhe duke shitur biskota, mbledhin pak para që të ndihmojnë dikë, të mbjellin një pemë. Të gjithë atë zell dhe histeri të atij analistit pranë partisë suaj unë vajta e verifikova. Mësuesja kishte thënë në atë klasë për ta mbjellë te shkolla e tyre, jo te Lali Eri. Që fëmija e këtij analistit tuaj të kishte më shumë oksigjen në një shkollë që nuk e kishte. I kishin kërkuar 100 lekë.
Sigurisht ajo mori paralajmërime dhe gjithë gjërat e tjera. Por ta themi troç. Histeria me të cilin analisti juaj fliste për pemën që do të oksigjenojë fëmijën e vet, indinjon edhe një njeri si unë që s’kam fëmijë. Dhe them zoti faltë dikë që nuk është gati të japë 100 lek, se ai i ka mundësitë se është analist i paguar, por në sytë e tij ishte më e rëndësishme të bënte një kauzë histerike për pemën që do të oksigjenojë fëmijën e vet kundër kryetarit të bashkisë. Unë s’kam fëmijë, por vallai partia para fëmijës....”, nënvizoi Veliaj.
d.c./shqiptarja.com








