Bashkia e Tiranës njofton se po vijon shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë, familjet me persona me aftësi të kufizuara, të moshuarve të vetmuar, atyre me ndihmë ekonomike dhe të dëmtuara nga tërmeti. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në Zall Bastar në disa familje. Ai u kërkoi banorëve të zonës që të qëndrojnë në banesat e tyre dhe i siguroi se për çdo nevojë, ndihma nuk do të mungojë në asnjë moment, thuhet në njoftim e shpërndarë nga zyra e shtypit të bashkisë.

Një tjetër lajm i mirë për Zall Bastarin është edhe rruga e re, tha Veliaj, e cila afron fermerët dhe blegtorët e kësaj zone me tregjet. “Me rrugën e Arbrit, loti i parë ka mbaruar, po bëhet edhe ky loti këtu, Zall Bastari do të jetë lagje e Tiranës. Tani që është bërë vetëm traseja e rrugës vihet më kollaj, imagjino kur mbarojë, vjen për 15 minuta”, tha Veliaj.  Duke i garantuar për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, kryebashkiaku theksoi se rruga e re e Zall Bastarit, bashkë me rrugën e Arbrit që po bën qeveria, do t’i japë zhvillim të gjithë zonës.