Veliaj dhe kreu i KMSH-së: Ndërpresim fushatën për Fiter Bajram, parkingjet publike falas për besimtarët

Nesër, gjatë faljes së Fiter Bajramit, parkingjet publike të Tiranës do të jenë falas për besimtarët myslimanë. Lajmin e dha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili sot, së bashku me kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, inspektoi punimet për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Tirana është shembulli i qytetit që i respekton të gjitha besimet dhe jeton mbi bazat e shëndosha të harmonisë fetare.

 “Jam shumë i nderuar që shoh bashkë me mikun tim Bujarin, se sa ka ecur puna për Xhaminë e madhe të Tiranës. Jam i bindur se 3-4 muaj punë me kaligrafinë dhe rifiniturat do të mbyllen brenda këtij viti, e do t’i japim Tiranës një tjetër stoli. Brenda një kilometri katror do të kemi shprehjet arkitekturore të të gjitha besimeve të qytetit tonë, siç i ka hije një qyteti që i respekton, i vlerëson të gjithë dhe që jeton mbi bazat e shëndosha të harmonisë fetare, besimit dhe vëllazërisë që kemi me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.

Në respekt të ditës së shenjtë të Fiter Bajramit, kryebashkiaku Veliaj, i cili garon në zgjedhjet e 30 qershorit për një mandat të dytë në shërbim të qytetarëve të Tiranës, tha se do ta ndërpresë fushatën gjatë gjithë ditës së martë.

“Nesër do ta ndërpresim fushatën zgjedhore sepse besoj që, në respekt të besimtarëve që janë pjesë e fushatës sonë, të shumë kandidatëve për kryetar bashkie që kanë agjëruar, që janë myslimanë dhe e praktikojnë, por edhe në shenjë respekti të të gjithë komunitetit mysliman, besoj se nuk ka vend të flasim për politikë, por të flasim më shumë për vëllazëri dhe për gjërat që na bashkojnë se sa për dallimet që mund të kemi mbi qytetin”, tha ai.

Në vend të politikës, në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe të besimtarëve, nesër ne të gjithë qytetin do të organizohet një fushatë bamirësie, me ushqime, veshmbathje etj.

 “Kushdo që ka mundësi, sidomos ushqime, batanije, veshmbathje, do duhet t’i sjellë pranë bashkisë apo pranë KMSH-së, dhe pastaj ditën e Bajramit duam që nga qyteti i Tiranës, qytetarët dhe besimtarët këtu, të çojmë këtë dhuratë solidariteti për të gjithë ata që janë në nevojë dhe më pas sipas nevojave, të jemi gjithmonë të gatshëm”, shtoi Veliaj.

Përveç parkingjeve publike, nesër gjatë faljes, besimtarët myslimanë mund të parkojnë falas edhe rreth Unazës së Vogël. “Parkingu te sheshi “Skënderbej” dhe parkingu te Bulevardi i Ri do të jetë falas. Por, duke parë që moti nuk është premtues dhe nëse nuk ka vende në parkingjet nëntokësore, të gjithë besimtarët do të lejohen të parkojnë rreth

Unazës së Vogël të Tiranës, për faktin që është një ditë e shenjtë, por edhe mjaftueshëm herët në mëngjes, çka nuk sjellin vështirësi në qytet”, theksoi ai.

Ndërkaq, kryeqyteti e ka treguar se është gjithmonë i pari në dhënien e ndihmës për raste fatkeqësie, ndaj Bashkia e Tiranës ka vendosur të dërgojë ndihma edhe për familjet e prekura nga tërmeti në qarkun e Korçës. “Nesër fushata do të pezullohet, dhe një nga idetë që kemi pasur me Bujarin është që në vend të saj, të kemi një fushatë bamirësie e solidariteti. Do të ftojmë të gjithë besimtarët myslimanë, por jo vetëm, përpara bashkisë dhe pas faljes së Bajramit, do të ngarkojmë një kamion me ndihma për qarkun e Korçës, aty ku këto ditë ka patur një sërë tërmetesh, ku e gjithë qeveria është mobilizuar, por unë besoj se ka nevojë edhe për ndihmën e qytetarëve”, tha Veliaj.

Me urimin për gjithë besimtarët, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, u shpreh se brenda këtij viti, me përfundimin e punimeve, në kryeqytet do të plotësohet mozaiku i kulteve fetare. Spahiu bëri thirrje për më shumë solidaritet mes njerëzve për të ndihmuar këdo që ka nevojë.

“Falenderoj z. Veliaj me ardhjen e tij sot në inspektimin e punimeve të xhamisë përfaqësuese. Me shpresën e Zotit, brenda këtij viti edhe kjo xhami do të përfundojë, duke plotësuar mozaikun e kulteve përfaqësuese këtu në Shqipëri, që gjithë besimtarët e të gjitha besimeve të ndryshme të jenë të plotësuar në pjesën e tyre shpirtërore. Gjithashtu, meqë është rast Bajrami, uroj dhe shpresoj që ky Bajram, kjo festë, të sjellë mirësi, begati dhe paqe në vendin tonë, dhe të mobilizohemi që të shkojmë në nevojë të njerëzve”, tha Spahiu.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren