TIRANE-Kryebashkiaku Erion Veliaj ka hedhur sërish akuza për Gjykatat, pasi sipas tij po bllokojnë kantieret që ka hapur bashkia.
 
Veliaj tha se bashkia ka hapur 100 kantiere, por në 40 prej tyre nuk po punohet për shkak se Gjykatat kanë vendosur bllokimin e punimeve. Për këtë arsye tha Veliaj duhet të miratohet sa më parë Vetingu.

“Kemi hapur rreth 100 kantiere pune, nga të cilat 40 bllokohen përkohësisht me vendime gjykatash, që marrin masa bllokimi për punët e bashkisë. Sot mjafton që një i fortë të bëjë një pagesë në një gjykatë të shkallës së parë, të marrë një masë bllokimi dhe 40% e kantiereve të Tiranës bllokohen. Reforma në drejtësi është absolutisht e nevojshme. Bashkia nuk mund të korruptojë gjyqtarët, nuk mund të doroviti këdo që jep urdhra dhe masa bllokimi. Ndaj, u bëj apel të gjithë qytetarëve që ta mbështesim reformën në drejtësi, të mbështesim vetingun, të mbështesim një sistem ku një gjyqtar nuk hap ankandin se kush ofron më shumë për të dhënë një masë bllokimi”, tha kreu i bashkisë.
 
Këto deklarata Veliaj i bëri gjatë inaugurimit të rrugës së re “Herman Hermann Gmeiner”. Kjo është përplasja e dytë e Veliajt me gjykatat pas vendimit për të rihapur punimet për disa kulla 17-katëshe që do ndërtoheshin tek diga e liqeni Artificial.

[gallery]21210[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com