TIRANË- Nga Kamza, gjatë prezantimit të kandidatëve të rinj për Këshillin Bashkiak, drejtuesi politik i qarkut të Tiranës për Partinë Socialiste, Erion Veliaj, i cilësoi kandidatët opozitarë si kukullat e radhës të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Për këta dy të fundit, ai tha se janë mjeshtrat që lëvizin telat e kukullave.
“Ju mendoni se unë e kam këtë debat me dhëndrin tonë këtu në Tiranë, që po kandidon për Saliun? Jo mor jo, këta janë kukulla të shkretët. Këta janë kukulla për ata që janë mjeshtra të kukullave. Njëherë kishim kukullat me tramin, tani e kemi me taksi dhe me aviona falas. Është kukulla e radhës, por nuk e kemi ne as me policin, as me parukierin, as me dhëndrin tonë. Ne e kemi me ato që janë mjeshtrat e vërtetë. Të gjithë e dimë që mjeshtrat e vërtetë, ata që janë non grata dhe që Shqipërinë duan ta çojnë gjithmonë e më mbrapa për hallet e tyre, jo për hallet e komunitetit, janë Saliu dhe Iliri. Ndërkohë që, Shqipëria me Edi Ramën dhe Rakip Sulin duhet të vazhdojë përpara dhe jo mbrapa. Dhe kjo është diferenca”, tha Veliaj.
Veliaj ftoi demokratët e Kamzës që t'i bashkohen Partisë Socialiste sepse aty punohet dhe nuk lihet detyra përgjysmë.
"Miqtë e mi, unë dua që këto 37 ditë të flasim edhe me palën tjetër. Vota është një gjë e shtrenjtë, por është kontratë. Ne Rakipin po e marrim në punë, nuk po e marrim dhëndër. Ne duam një kalë të fortë që mund të mbajë pesha dhe nëse ka mbajtë pesha gjatë pandemisë dhe tërmetit, të mbajë edhe pak më shumë pesha. Po e marrim si shërbëtor, por ata që ikin 4 vjet nga puna nuk mund të jenë shërbëtorët tanë. Si mund të bësh një kontratë me dikë që ta lë në derë, ta lë në derë dhe ikën. Ndaj, miqtë e mi dua që të flasim me kolegët e tjerë, nuk janë armiqtë tanë, janë motra dhe vëllezër", u shpreh Veliaj.
Gjatë prezantimit të listës së këshilltarëve bashkiakë në Kamëz, kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës dhe drejtuesi politik i Qarkut, Erion Veliaj, u shpreh se demokratëve po u kërkohet të votojnë listën e Ilir Metës dhe kjo është një fyerje e rëndë për ta.
“Nga i pari tek i fundit, lista e Këshillit Bashkiak të Kamzës është me emra të Partisë Socialiste, janë të Edi Ramës, janë të Rakip Sulit, janë të Linditës, të Erionit, janë anëtarë të kësaj familjeje, janë çuna dhe goca të kësaj shtëpie, janë burra dhe gra të këtij komuniteti. Po shikoja listën që kisha përballë, ishte e gjithë lista e Ilir Metës. Partisë Demokratike, të djathtëve të Kamzës dhe të Paskuqanit po u kërkohet të votojnë listën e Ilir Metës. Demokratëve të Paskuqanit dhe të Kamzës po u thuhet shkoni si ‘cjapi te kasapi’, kokën në tabaka të djathtës me ia çuar Ilir Metës. Atyre që kanë vite që militojnë në forcat e djathta, ata që kanë kohë që janë identifikuar me të djathtën këtu në Kamëz, po u thuhet shkoni si qengjat në thertore për Ilir Metën. Çfarë fyerje që krerët e këtyre forcave u bëjnë militantëve të tyre! Çfarë fyerje t’i thuash dikujt shko voto listën e njeriut që në të gjitha sondazhet del më i urryeri në Shqipëri,” u shpreh Veliaj.
Partia Socialiste, edhe këtu në Kamëz, tha Veliaj, e kërkon votën për të vijuar për të bërë punë për njerëzit.
“Kur Rakip Suli kërkon votën dhe kur unë e Lindita bashkohemi, kur Edi Rama vjen e kur të gjithë ne kërkojmë mbështetjen tuaj, kërkojmë që të bëjmë punë për njerëzit. E kërkojmë që, nga këto çerdhet e para që prodhuan një histori suksesi, ne të bëjmë më shumë çerdhe. Nga këto kopshtet e para, që kanë krijuar një liri për qindra, mijëra gra, që të shkojnë dhe të punojnë, kur fëmijët janë të sigurt në këto ambiente, ne të bëjmë më shumë kopshte. Kur këto shkollat e Kamzës që sot po fitojnë çmime ndërkombëtare, e kërkojmë votën që të bëjmë më shumë shkolla,” u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, ata kërkojnë votë për sherr e përçarje, tha kreu i PS së Tiranës.
“Kur dëgjon palën tjetër, ata thonë: ‘Na jepni votën që të rrëzojmë qeverinë’. Pra, i thonë pjesës këtej të lumit: ‘Na jep votën që të hapim sherr në anën tjetër të lumit’. Ndërkohë, ne i themi jo, ne nuk duam sherr në anën tjetër të lumit, as me Edi Ramën, as me Lali Erin. Ne nuk duam ndarje, ne duam më shumë bashkim. Ne nuk duam përçarje, ne duam më shumë ura. Ne nuk duam dhunë, ne duam më shumë punë. Kamza nuk mund të jetë serbator për sherr, por është serbator për talent, për punë dhe për vepra të mira. Ata i thonë Kamzës dhe Paskuqanit: ‘Na jepni votat, se jo vetëm që me këto vota do i hapim sherr Edi Ramës, por me këto vota ne do rrëzojmë edhe Ambasadën Amerikane’. Në Kamëz, në Paskuqan, e gjithë Shqipëria, është ndoshta hapësira më pro amerikane në botë. Qarku i Tiranës është ndoshta hapësira më pro amerikane në Shqipëri. Por, Kamza dhe Paskuqani janë hapësirat më pro amerikane në Qarkun dhe vendin më pro amerikan,” deklaroi Veliaj.
Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, njëherësh drejtues politik i PS për Qarkun, Erion Veliaj, ka prezantuar sot kandidatët për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Kamzës. Së bashku, me deputeten dhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të votojnë listën e propozuar nga PS.
Veliaj tha se në këtë fushatë Partia Socialiste vjen me kokën lart për gjithë punët e mira që ka bërë.
“Kjo është një nga fushatat më të lehta, jo se nuk kemi kundërshtar, jo se e kemi fitoren në xhep, jo se e kemi varur xhaketën, përkundrazi unë besoj se duhet të luftojmë për çdo votë, por fushata bëhet pak më e lehtë kur e ke kokën lart, kur nuk ke komplekse. Kush e ka fushatën më të lehtë, ata që të thonë përfaqësoj Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, apo ata që thonë përfaqësoj një ‘non grata’, që nuk e kalon dot Rinasin? Kush e ka fushatën pak më të lehtë dhe punën pak më të kollajtë, ai që e mban kokën lart dhe që thotë ne përfaqësojmë një forcë politike që ka bërë kaq shkolla, që ka bërë kaq çerdhe, ka bërë kaq kopshte, ka mbjellë kaq pemë, ka bërë kaq parqe apo ata që ikën nga detyra për 4 vjet? Ne nuk jemi këtu për të bërë premtime, jemi këtu për të treguar se premtimet që bëmë, i mbajtëm”, u shpreh Veliaj.
Ai gjithashtu kujtoi se ata që vijnë sot për të kërkuar votën e demokratëve, 4 vite më parë i lanë pa përfaqësim, ndërsa PS nuk e braktis kurrë detyrën.
“Nëse një nxënës katër vjet nuk vjen në mësim, a mund të marrë diplomë në shkollë? Në asnjë mënyrë! Për dikë që është infermier, ose mjek, nëse e dorëzon përparësen e bardhë për katër vjet, a mund të rikthehet në Kamëz dhe ta veshë sërish dhe të thotë më provoni prapë? Si ka mundësi që vjen një pale, e cila 4 vjet ikën nga Parlamenti, ikën nga Këshilli Bashkiak, refuzon të jetë pjesë e kësaj pune e kërkon sërish votën tuaj? Ne këtu në Kamëz kemi qenë 30 vite në opozitë, por asnjëherë nuk e kemi braktisur detyrën e përfaqësimit të votave për opozitën,” deklaroi më tej Veliaj.