U promovua sot libri “42 kryetarët e Tiranës” me autor Valter Gjonin, i cili prej më shumë se 20 vitesh mban pozicionin e përgjegjësit të protokollit në Bashkinë e Tiranës.
 
Libri paraqet një histori jo vetëm të të gjithë kryebashkiakëve në vite, por edhe të qytetit të Tiranës. I pranishëm në promovimin e botimit ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në fjalën e tij, nisur edhe nga eksperienca e gjatë në administratë, e ka cilësuar autorin e librit, Valter Gjoni, si një memorie e Bashkisë së Tiranës dhe e gjithë qytetit.
 
Duke iu referuar asaj çka libri përpiqet të sjellë për lexuesit, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi se ky botim shërben për të kujtuar dhe kuptuar se Tirana që kemi sot është ndërtuar nga puna e çdo njeriu që ka kontribuar për të.
 
Ky botim, së pari vlen për të kujtuar se asnjë nga ne nuk ka ardhur nga hiçi, as ky qytet nuk ka ardhur nga hiçi, shumë njerëz kanë kontribuar dhe kanë dhënë shumë nga jeta e tyre, nga përpjekjet e energjia e tyre, sipas kontekstit të kohës. Ka pasur një Tiranë zogiste, ka pasur një Tiranë fashiste, një Tiranë naziste, një Tiranë komuniste, por ka edhe një Tiranë të 25 viteve të fundit të tranzicionit. Por, besoj se për herë të parë kemi një botim të mirëfilltë, ku secili po gjykohet në kontekstin e punës që ka bërë dhe asaj që ka lënë si pajë për Tiranën e zhveshur nga të gjitha interpretimet politike, që miqtë tanë historianë fare mirë mund të na e vendosin në kontekstin e kohës”, shtoi Veliaj.
 
Veliaj tha se ky libër është një tregues i qartë se kushdo kryetar bashkie, pavarësisht bindjeve apo krahut politik që përfaqëson, do të vlerësohet për punën që ka bërë për qytetin dhe jo për deklaratat apo qëndrimet e politike.

Në fund të ditës, asnjë kryetar bashkie nuk gjykohet nga batutat që bëri në një moment të caktuar, nga konteksti apo sherret politike, por nga produkti që la kur ishte në krye të këtij qyteti. Disa herë, produkti kishte të bënte me arkitekturën urbane, me mënyrën sesi Tirana u transformua, disa herë kishte të bënte me mënyrën sesi u investua në kulturë dhe në art, disa herë me vizita historike, qoftë kjo e Xhejms Bejkerit apo e Nënë Terezës. Por, në pjesën më të madhe, ka të bëjë me një kontribut konkret ndaj dhe mendoj se apeli që marrim sot është se kemi një shans historik për t’i shërbyer Tiranës çdo ditë me punë”, u shpreh Veliaj.
 
Ai theksoi se çdo orë e humbur me debatet e ditës, me betejat politike, me baltën dhe stërkëmbëshat, është një humbje kohe, që Tirana s’mund t’ia lejojë vetes.
 
Në qoftë se ka një mesazh që na vjen nga ky botim është fokusi te puna. Koha kalon shpejt, mandatet ikin shpejt, por në fund të ditës, secili prej nesh vlerësohet nga puna dhe nga kontributi që jep”, përfundoi Veliaj.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)