TIRANE - Ministri i Mirëqenies dhe Rinisë Erjon Veliaj thotë në një intervistë për gazetën “Illyria” të komunitetit shqiptaroamerikan në SHBA se vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd e parë në të gjitha planet do të jetë historike. “Do të jetë një vizitë historike e një kryeministri shqiptar, kam përshtypjen që në mes të viteve ‘40. Kështu, që gjykoj se fitojmë më shumë duke marrë pjesë e duke kërkuar në tryezën e vendimmarrjes më shumë për interesat tanë se sa duke e deleguar vendimmarrjen vetëm në autoritetet serbe dhe duke pritur lëmoshën për çështje fondesh, për çështje investimesh apo për politika zhvilluese”, tha Veliaj.

Teksa flet për situatën në Preshevë, ai thotë se është shprehur shqetësimi i qeverisë shqiptare në lidhje me lapidarin që është shembur. “Gjykojmë se do të jenë edhe disa pika të bisedës së kryeministrit Rama në vizitën e tij në Beograd, kauza e më shumë të drejtave dhe respektimit të atyre çështjeve sensitive për qytetarët e Preshevës”, tha ministri Veliaj.

Shkrimi u publikua sot 3 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)