Mes 'luftës' së hapur me kryeministrin Edi Rama, sot kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka drejtuar një letër publike ish-zv.kryeministres Belinda Ballukut, të cilën e cilëson si ‘Drejtoreshë të Qarkut Fier’ (duke qenë se është drejtuese politike e PS për qarkun Fier), duke i kërkuar miratimin e ndërhyrjes kirurgjikale në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes.
Në letrën e bërë publike, Veliaj pretendon se prej një muaji që po vuan izolimin në paraburgimin e Fierit, ndodhet me një këmbë të thyer dhe ka nevojë urgjente për operacion.
Ai thotë se kërkesat e tij të përsëritura drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Drejtësisë, Toni Gogut dhe drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, nuk kanë marrë përgjigje.
Veliaj përdor një gjuhë ironike në adresimin ndaj Ballukut, duke iu referuar asaj si personi që, sipas perceptimit të krijuar në burg, ka fuqinë për të zgjidhur çështjet që nuk po i zgjidh kryeministri.
“Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se ‘Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim’ dhe se ‘hallin tënd e zgjidh veç Bela’”, shkruan mes të tjerash Veliaj. Veliaj 'i premton' Belinda Ballukut në letër se do të shkojë tek ajo 'si gjithë shqiptarët' në ditën e 'Pranisë Besnike'.
Në përfundim të letrës, kryebashkiaku i drejtohet Ballukut me një kërkesë konkrete për të lejuar kryerjen e operacionit në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes, duke e mbyllur mesazhin me një tjetër shprehje ironike: “Socialisti me duar të lidhura”.
Letra publike e Veliajt për Ballukun:
Znj. Balluku - Dr. e Qarkut Fier,
Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion - kjo të paktën nuk është “sekret”.
Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.
Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.
Socialisti “me duar të lidhura”.
Erion Veliaj
Letra e shkruar nga Veliaj për Ballukun









Komente
Komento