TIRANE - Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me drejtorët e shkollave profesionale në vend. Gjatë mbledhjes Veliaj raportoi se ka konstatuar anomali të rënda në këtë sektor të arsimit, fenomene që nuk do të tolerohen më. Gjithashtu Ministri Veliaj prezantoi dhe disa pika që sipas tij janë të nevojshme për riformulimin e personeleve pedagogjike, sigurimin e kushteve minimale në shkolla dhe për bashkëpunim jetik të këtyre shkollave me biznesin.

Ministri Veliaj informoi drejtorët e shkollave profesionale të vendit se ka inspektuar pjesën më të madhe të këtyre institucioneve arsimore. Në raportimin e tij me nota konfidenciale, rradhiti shembuj tepër pozitiv, por edhe u shpreh se nuk do të tolerojë më shembuj të tjerë shkollash pa dinjitet, me xhama të thyer dhe me plehra. Per pasojë, sipas Veliajt, në këto të fundit procesi mësimor është i pa mundur me këto kushte. Për këtë arsye u shpreh dhe i vendosur se do të vazhdojë inspektimin në shkollat e tjera dhe do të marrë masa radikale mbi shkelje të mundshme. Dhe gjithmonë në kuadër të inspektimeve Veliaj përmendi dhe faktin se do të emërojë një këshilltar të veçantë për inspektime ditore “shkollë për shkollë”.

Gjithashtu Ministri Erion Veliaj u shpreh i vendosur dhe kategorik mbi eleminimin e rasteve ku mësues të ndryshëm ushtrojnë detyrën në lëndë që nuk janë në profilin e tyre. Nëse evidentohen raste të tjera, dhe në këtë pikë Veliaj pretendon dhe bashkëpunimin e të gjithë drejtuesve të shkollave, “këta mësues t’u drejtohen më mirë zyrave të punës”, pasi këto praktika, sipas Veliaj po “marrin më qafë” prindër dhe nxënës.

Pika ku z. Veliaj u përqëndrua më tepër gjatë takimit ishte bashkëpunimi i këtyre shkollave me biznesin privat. Sipas ministrit këto shkolla mund të kthehen në shkolla elitare vetëm me ndërtimin e bordeve me përbërje biznesmenë lokalë që të bëjnë të mundur ambientet dhe kushtet e praktikës për nxënësit. 30% të kohës mësimore sipas Veliaj, nxënësit duhet ta kalojnë në praktikë nëpër bizneset e profileve përkatëse duke mundësuar kështu dhe një rritje të ndjeshme të mundësisë për të gjetur punësim në të ardhmen. Veliaj, përmendi shembuj konkret suksesi të bashkëpunimit mes bizneseve dhe shkollave profesionale, ndërsa konsideroi si privilegj tenderat që këto biznese përftojnë nga pushteti lokal apo nga ekzekutivi. Gjithashtu detyrim, nga ana e biznesit, shpërblimin e këtyre privilegjeve me krijimin e mundësive dhe hapsirave e praktikës për nxënësit e shkollave profesionale.

Pak para mbylljes së fjlaës së tij, ministri Erion Veliaj cilësoi si të rëndësishëm bashkëpunimin me njerëz që kanë përftuar eksperiencë në perëndim dhe domosdoshmërinë e modernizimit të kurikulave dhe trasferimin në dixhital në këto shkolla.

Në fund të takimit, Veliaj përgëzoi drejtorët e këtyre institucioneve arsimore ndërsa deklaroi dhe se pikat e parashtruara nga ai do të realizoheshin jo më vonë se 15 Shtatori, do të ishte vetëm maja e ajsbergut. Ndërsa premtoi se do të vazhdojë inspektimet e tij dha dhe si porosi me rëndësi të veçantë transformimin e shkollave profesionale në shkolla multifunksionale, ku në përfundim të mësimit t’u jepej mundësia dhe qytetarëve dhe nxënësve të tjerë për të ndjekur kurse profesionale.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)