Veliaj mbjell pemë me ish-ambasadorin e SHBA, Arvizu: Ndryshimi i Tiranës, i jashtëzakonshëm

Katër vite pas largimit nga Shqipëria, ish-Ambasadori i SHBA, Alexander A. Arvizu u prit në një takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili e nderoi atë me “Kullën e Sahatit”, si një figurë që ka dhënë kontribut të madh në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më pas, Veliaj dhe Arvizu mbollën edhe një pemë në shenjë të miqësisë mes dy vendeve në lulishten pranë Bibliotekës Kombëtare. Ish-ambasadori Arvizu e cilësoi të jashtëzakonshëm transformimin që ka pësuar Tirana vitet e fundit, ndërsa theksoi se është bukur që njerëzit ndiejnë krenari për qytetin e tyre. “Është shumë e jashtëzakonshme. Është bukur që njerëzit ndiejnë krenari për qytetin e tyre dhe kjo mund të inspirojë për të tjera gjëra. Unë e njoh Kryebashkiakun, por më e rëndësishmja, e di që Kryebashkiaku po punon edhe në gjëra të tjera, ndoshta jo kaq të dukshme, por që gjithashtu do të përmirësojnë jetën e njerëzve. Ndaj është e rëndësishme të bëhen të dyja, nuk mund të kesh njërën, pa pasur tjetrën”, tha Arvizu.

Duke u shprehur i kënaqur që rikthehet sërish në Shqipëri, ish-ambasadori vlerësoi edhe rolin e kryebashkiakut Veliaj dhe lidhjet e tij të forta me SHBA. “Jam i lumtur të jem sërish këtu në Shqipëri. Kjo është hera ime e parë që nuk jam në një pozitë zyrtare, ndaj është një ndjesi disi e çuditshme, por jam shumë i lumtur të jem sërish këtu.  Kryebashkiaku ka lidhje shumë të forta me Amerikën prej kohës së tij si student dhe unë e falenderoj që ka qenë pjesë e asaj eksperience profesionale dhe që po më lejoni mua të bëhem pjesë e përvojës suaj. Ju falenderoj për vizitën e mrekullueshme sot, e çmoj shumë këtë”, tha Arvizu.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi ish-ambasadorin amerikan Arvizu një mik shumë të çmuar të vendit tonë. Ai theksoi se edhe nisma e tij për  të dhënë një kontribut konkret duke mbjellë një pemë në Tiranë në fushatën për “Pyllin Orbital”, është një provë se Shqipëria ka zënë vend në zemrën e tij. “Mikprita në Tiranë një mikun tonë shumë të çmuar, ambasadorin Arvizu, që ka kaluar një pjesë të jetës së tij në këtë qytet. Është lidhur me këtë qytet, me vendin tonë. Prova se një vend ka zënë vend në zemrën dhe në jetën e dikujt, është kur ai kthehet sërish aty. Edhe prova që na jep ambasadori sot është se Tirana është pjesë e jetës së tij, Shqipëria është pjesë e jetës së tij dhe fakti që kthehet edhe për të dhënë një kontribut konkret dhe për të mbjellë një pemë në Tiranë në këtë fushatën tonë të “Pyllit Orbital”, më bën që ta çmoj shumë”, u shpreh Veliaj. 

Ai falenderoi ambasadorin amerikan për punën që ka bërë gjatë mandatit të tij në Shqipëri dhe e ftoi atë që Tirana të jetë destinacioni i pushimeve të familjes së tij. “I uroj shumë sukses në punën e re dhe besoj që të gjendet gjithmonë një mundësi për ta pasur sa më shpesh në Tiranë, edhe për të pasur gjithmonë një arsye për t’u parë në shenjë të miqësisë dhe kontributit që ju keni dhënë në vendin tonë. Dua që në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës t’ju falenderoj, edhe t’ju mirëpres sa herë që t’ju bjerë rruga, apo që të vendosni që Tirana do të jetë destinacioni i pushimeve tuaja”, tha Veliaj. Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander A. Arvizu shërbeu në Shqipëri nga dhjetori i 2010-s deri në janar të 2015-s.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gjermani/ Presidenti gjerman Steinmeier shpërndan Parlamentin, zgjedhjet e reja më 23 shkurt

Gjermani/ Presidenti gjerman Steinmeier shpërndan Parlamentin, zgjedhjet e reja më 23 shkurt