Veliaj me banorët e Dajtit e Shëngjergjit: PS është si një familje! Asnjëherë nuk është vonë të kthehesh në drejtimin e duhur!”

Nga kompleksi i ri sportiv ‘Partizani’, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, u takuan me banorët e Tufinës, Freskut, Dajtit, Zall-Herrit, Shëngjergjit e Zall Bastarit. Veliaj tha se kjo vërtet ka qenë një fushatë model në kryeqytet, por ajo që e dallon Partinë Socialiste është fakti se vjen në çdo njësi e në çdo fshat jo vetëm për fushatë, por në çdo kohë kur ka nevojë për të qenë pranë me qytetarët, sidomos në kohë të vështira.

“Ky ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm! Por, ne nuk jemi bashkë vetëm për fushatë. Kemi qenë këtu edhe kur s’ka pasur fushatë. Sa e kishim fituar betejën e fundit kur ra tërmeti dhe treguam që s’ishim nga ata që duken një herë në 4 vjet. Kemi qenë me Xhemalin dhe drejtuesit tanë në çdo shtëpi, që kishte nevojë të ngrihej, në çdo familje që kishte nevojë për dashuri, në çdo të moshuar e të vetmuar, që kishte nevojë për mbështetje. Jemi forca politike që quhet Partia Socialiste, edhe kur ka shi, edhe kur ka diell, edhe kur ka tërmet, edhe kur ka pandemi, edhe kur jemi shëndoshë e mirë sepse një familje është gjithmonë bashkë dhe kjo është familja jonë”, u tha Veliaj banorëve.

Ai falënderoi këdo që i është bashkuar në këtë fushatë Partisë Socialiste, teksa veçoi një rast: “Kur po vija këtu takova një vajzë, e cila më tha: ‘Kjo është hera e parë që vij në një miting të Partisë Socialiste, kam qenë gjithmonë djathtas’. Por, asnjëherë nuk është vonë të ecësh përpara. Asnjëherë nuk është vonë që të shkosh në drejtimin e duhur dhe asnjëherë nuk është vonë të bashkohesh me familjen më patriotike, me familjen më të madhe, por edhe me familjen më fitimtare politike, që është Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Prandaj, tha Veliaj, vota për PS është shumë e rëndësishme në 14 Maj.

“Javën e kaluar patëm dy kupa. Ishte ekipi basketbollit i gocave të Partizanit, që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, që solli kupën e gocave dhe ishte ekipi i basketbollit të çunave të Tironës që solli kupën e meshkujve. Në një ndeshje ka gjithmonë një mundësi për ta bërë rezultatin përsëri. Ndeshja jonë ndodh një herë në 4 vjet, është si Kupa e Botës, si Kupa e Europës. Është e nevojshme fitorja se nuk e rikuperojmë dot pas dy, apo tre javësh. Kemi një shans në 4 vjet për ta çuar Tiranën përpara,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se kjo votë nevojitet për të vijuar me investimet e mëdha, ndër të cilat Unaza e Madhe e Tiranës.

“Sot jemi në një situatë ku kemi shumë punë që i kemi nisur dhe i kemi në gjysmë të rrugës. Ashtu si një njëri që ndërton çatinë e vet, nuk ndërton vetëm gjysmat e tjegullave, duhet të mbarojë e gjithë çatia. Ashtu si dikush që lyen murin, nuk lyen vetëm gjysmën e murit, duhet të lyejë të gjithë murin. Ashtu edhe Tirana jonë, e ka nisur mbarë, por siç kemi bërë gjysmën e Unazës së Madhe nga sheshi Shqiponja deri në Farkë të Madhe, tani duhet të kalojmë te zonat e Xhemalit, të vijë Unaza në Dajt, në Tufinë, e të vazhdojë derisa të dalë në Paskuqan”, nënvizoi Veliaj.

Për këtë, ai solli shembullin e tregut agroushqimor, i cili sot mund të quhet një premtim i mbajtur.

“E dhamë një premtim me Xhemalin dhe thamë: ‘Nuk do vijmë më të kërkojmë vota, nëse nuk e mbajmë fjalën për tregun agroushqimor, që sapo u hap në Farkë të Madhe’. Fermerët tanë, ata që jetojnë në fshat, ata që e punojnë me sakrifica tokën, s’kanë asnjë arsye pse të shkojnë nga Bërzhita, ose nga Krraba, ose nga Zall-Bastari, komplet në anën tjetër, për të shkuar te tregu privat që ta mat kokën me spango. E mbajtëm premtimin! Me Xhemalin hapëm tregun agroushqimor, që njerëzit tanë të fitojnë më shumë. Ky trend duhet të vazhdojë e ky ritëm nuk duhet të ndalet,” deklaroi Veliaj.

Deputeti i PS, Xhemal Qefalia tha se për të gjitha ato që janë bërë, por sidomos për ato që duhet akoma të bëhen në këto zona, që i janë bashkuar Tiranës, duhet një tjetër mandat për Erion Veliajn në krye të Bashkisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:55
Veliaj me banorët e Kombinatit, Astirit e Kasharit: Ne nuk do ndalemi! Mos i jepni më asnjë votë në Kombinat atij që fytyrën ia dha Saliut

 

Kandidati i PS per Tiranen, Erion Veliaj zhvilloi nje takim me banorët e Kombinatit, Kasharit dhe Astirit, te cileve u premtoi se mandati i tretë, pas 14 Majit, do t’i dedikohet specifikisht këtyre zonave në Tiranë, që ashtu si me shkollën “Lasgush Poradeci” në Kombinat, do të shtohen edhe 5 shkolla të reja Astir, Yzberisht e Kashar. 

“Tre vjet na bllokuan tek Astiri: ‘Nuk e duam autostradën, nuk e duam Unazën, nuk e duam zhvillimin’. Ja ku jemi sot! Është rritur vlera e pronës sepse ku vjen urbanizimi vjen zhvillimi. Ndaj, ju premtoj publikisht: Ky do të jetë mandati i dedikuar Astirit, Kasharit e Kombinatit, si kurrë më parë, për të shkuar deri në cepin e fundit dhe për t’u siguruar që siç e kemi me provë në Kombinat, ku kemi shkollën më të bukur në Shqipëri “Lasgush Poradeci”, apo shkollat “Betim Muço” dhe shkollën e re, që po bëhet nga e para, “Musine Kokalari”, ashtu do i kemi edhe 5 shkollat e Kasharit, Yzberishtit dhe Astirit,” deklaroi Veliaj. 

Kryebashkiaku tha se nuk është tesera ajo që duhet të shtyjë në kutinë e votimit, por familja e gjithsecilit dhe mirëqenia e saj garantohet sot në Tiranë vetëm nga Partia Socialiste.

“Nuk dua të mendoni partinë e tesera, por dua që kush jeton në Kombinat, të shkojë e të votojë për shkollën “Lasgush Poradeci”, të shkojë e të votojë për shkollën “Betim Muço”, për kopshtin e për çerdhet, të shkojë e të votojë për faktin që Sharra nuk e nxjerr më atë tymin kancerogjen. Kush jeton në Kombinat, duhet të votojë për fëmijët e vet e nëse PS ka ndërtuar shkolla, kopshte, çerdhe, ka pastruar Sharrën, nëse PS ka bërë sot Kombinatin, kantierin më të madh të rindërtimit për të rikuperuar dëmin e tërmetit, votoni familjen tuaj dhe fëmijët tuaj. Nëse PS ka ndihmuar, atëherë vota për Partinë Socialiste është vota për fëmijët tuaj,” ishte apeli i Veliajt.

Ai nuk la pa përmendur edhe faktin se ai që garon sot përballë tij në Tiranë ka dalë deputet pikërisht me votat e Kombinatit, por nuk bëri asgjë për ta. Përkundrazi, tha Veliaj, sot i ka dhënë fytyrën e tij një 80-vjecari që ka shkaktuar shumë dhimbje e tragjedi në Shqipëri.

“T’i themi gjërat siç janë! Kombinati prodhoi edhe një deputet, i cili i ka dhënë sot fytyrën Saliut. Çun i ri, i ka dhënë fytyrën një 80 vjeçari, që vetëm na përçan, një 80 vjeçari që bashkë me Zenin e tij, Gërdecin e hodhi në erë; një 80 vjeçari që sot është bërë lolo, gazi i botës, rri në stadium tek pulle dhe u flet sediljeve bosh. I ka dhënë fytyrën e vet një 80 vjeçari, i cili vrau si frikacak, duke u fshehur pas perdes së Kryeministrisë, 4 socialistë të pafajshëm. Sa turp që një çun i ri jep fytyrën Saliut dhe Ilirit! Ne nuk kemi kundërshtarë përballë, ne kemi një maskë që po e përdor Saliu e Iliri. Nuk kemi ne punë me ata. Ne duam që Kombinati, Kashari dhe Astiri të ecin vetëm përpara,” u shpreh Veliaj.  

Ai tha gjithashtu se ashtu si çerdhja e parë që sapo u hap në Astir, zona do të vijojë të transformohet me çdo shërbim si kudo në Tiranë.

“Ne sapo kemi hapur një çerdhe të re në zonën e Astirit, aty ku s’kishte asnjë çerdhe, kopesht, shkollë, sepse kur e drejtonin ata e kishin mendjen vetëm për pallate dhe kur e morëm ne, e gjetëm me puset e Laknasit ujin tek Astiri. Tek autostrada nuk na lanë të punonim tre vite. Sapo ka filluar investimi i parë në arsim dhe nuk do ndalemi derisa ta çojmë deri në fund. Nuk do ndalemi deri sa e gjithë Unaza të mbarojë me të 7 lotet e tjera, për t’u siguruar që Tirana çliron komplet trafikun. Ne nuk do ndalemi dhe do sigurohemi që në zonën mes Kasharit e Kombinatit të jetë zona e lirë ekonomike me 7000 vende pune,” vijoi më tej ai.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet