/ATSH/.- Më shumë hapësira publike, parqe dhe rikonstruksioni i zonave historike të Tiranës, janë disa nga çështjet kryesore që kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka në planin e tij për kryeqytetin.
Në dëgjesën e pasdites së sotme me banorët e njësisë nr. 10, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, Veliaj tha se ka një program me projekte konkrete për lagjet e Tiranës, duke nisur që nga investimet për hapësira të reja publike, rikonstruktimin e rrugëve, urbanizimin e zonave apo pastrimin e qytetit.
Banorët e njësisë nr. 10 u shprehën se gjatë këtyre 4 viteve, Bashkia e Tiranës ka dështuar në të gjitha këto, duke mos mbajtur asnjë premtim. Madje, koncepti i tyre ishte zaptimi i gjithçkaje publike në funksion të partisë. "Në katër vitet e fundit, Qendra TEN që ndërtoi Edi Rama kur ishte kryetar bashkie, nuk u hap fare për rininë. M'u kujtua që ekzistonte përpara një jave kur ishte kthyer në sallë mbledhjesh për Partinë Demokratike", deklaroi Veliaj.
Ai nënvizoi se pas 21 qershorit, kjo qendër jo vetëm do të rikthehet të funksionojë, por modeli i saj do të shumohet edhe në pjesë të tjera të qytetit. Veliaj përmendi Qendrën e parë Rinore në Tiranë të hapur kur ai ishte ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duke e kthyer nga një mejhane me muzikë tallava, në ambient për të rinjtë.
Veliaj tha se do të bëhet rikonstruktimi i plotë i shtëpive tradicionale tiranase, sidomos pjesa e Pazarit të Ri, e cila ka nevojë urgjente për ndryshim, në mënyrë që të kthehet në një hapësirë për turistët. Për investimet në hapësirat publike, ai sqaroi se do të ndryshojë vendimmarrjen e bashkisë, duke ia lënë komunitetit në dorë që të vendosë. "Te blloku i pallateve tek ish kinema Republika do t'i themi komunitetit të vendosë se si do t'i përdorë fondet. Më pak vendime në qendër dhe më shumë vendime në bazë, ashtu siç e meriton komuniteti ynë", theksoi ai.
Shqetësimit të banorëve për çështjen e kafshëve të rrugës, Veliaj iu përgjigj me një propozim për ngritjen e një kapanoni, për trajtimin e të gjitha kafshëve që vuajnë nga moskujdesja e bashkisë. Sipas tij, në një qytet ku për katër vjet bashkia nuk është kujdesur për njerëzit, nuk mund të imagjinohet që të jetë kujdesur edhe për kafshët. "Një nga pronat e bashkisë do ta kthejmë në strehë për kafshët. Organizatat e shoqërisë civile janë të gatshme t'i vaksinojnë, të kujdesen për të gjitha shërbimet veterinare dhe të fillojmë një proces adoptimi. Nuk është nevoja të tregohemi jo human me kafshët", sqaroi Veliaj.
Lidhur me pastrimin e qytetit, Veliaj kujtoi se në ndërmarrjen e pastrimit në bashki punojnë 860 vetë, të cilët shkojnë në protesta. Ai theksoi se do të auditohen të gjitha kompanitë e pastrimit dhe nëse komuniteti e vlerëson negativisht një kontraktor të pastrimit, ai kontraktor do të largohet. Për sa i përket ndërtimit të parqeve në kryeqytet, Veliaj sqaroi një prej elementëve të ndërtimit të Parkut të Liqenit të Tiranës, duke thënë se Kopshti Zoologjik do të rikonstruktohet sipas modelit të Kopshtit Zoologjik në Berlin.
"Me Kopshtin Botanik, me Qendrën Olimpike dhe Kopshtin Zoologjik, këto tre nyje që do të shërbejnë si për argëtim, ashtu edhe për pushim, plotësojmë projektin e ri të Parkut të Liqenit, i cili ndaloi ditën kur Edi Rama iku nga bashkia. Ne do ta përfundojmë në mandatin tonë të parë", theksoi Veliaj.
Në këtë takim, kandidati i koalicionit të majtë shprehu mirënjohjen e tij për familjet e vjetra tiranase që siç nënvizoi, "edhe pse historikisht kanë qenë familje që kanë votuar të djathtët, në një vendim historik, familjet tiranase kanë vendosur që ta çojnë Tiranën në drejtimin e duhur dhe të mbështesin alternativën tonë".
Duke u fokusuar te gara e 21 qershorit, Veliaj tha se këto zgjedhje janë më të rëndësishme se koalicionet e partive sepse do të jetë një betejë për familjet tona. "Kjo është një betejë për t'i dhënë përgjigje atyre pyetjeve që secili prej nesh i bën në shtëpinë e tij. Nëse në familjen që quhet bashkia e Tiranës je i paaftë të sjellësh dritë aty ku ka terr, të shtrosh asfalt aty ku ka gropa, për çfarë i duhesh këtij qyteti? Ndaj këto zgjedhje nuk janë vetëm për familjet e socialistëve, por edhe për familjet e demokratëve. Ne duhet të fitojmë jo vetëm për ne, por edhe për ata" u shpreh Veliaj.
Ndërkaq, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj tha se "Erioni nuk është i importuar në këtë qytet, por është djalë i këtij qyteti. Erioni është si ty, i lindur në këtë qytet, ka jetuar me hallet e këtij qyteti, është rritur me djersën e tij, me sakrificën e tij dhe me ambicien e tij, e ka ndërtuar jetën vetë. Një njeri që është në gjendje të ndërtojë jetën dhe karrierën e tij vetë, është në gjendje të ndërtojë edhe punë në një qytet. Erioni vazhdoi në politikë në sajë të emrit dhe punës së tij, e ndërtoi atë dhe u bë dhe ministër. Ka nga ata që thoshin: kush e njeh atë ministri. Por, Erioni pati një meritë; mori një ministri që nuk kishte emër dhe e bëri në krye të dy viteve një ministri me emër, me tregues konkret reformash të prekshme nga qytetarët".
Në përfundim të fjalës së tij, kandidati socialist kërkoi nga banorët e Tiranës që të mos gënjehen dy herë. "Më gënjeve një herë është faji im, dy herë nuk ta fal. Këta janë po ata që gënjyen 4 vjet më parë, thjesht kanë sjellë një figurant tjetër. Asnjë kandidat, sado barsaleta të tregojë, nuk na bën të harrojmë se janë të gjithë kandidatë të Saliut, janë të gjithë ministra të Saliut. Ishin të gjithë aty kur Saliu na çoi në greminë", përfundoi Veliaj.
/m.m/