Plarent Ndreca kërkon që ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, të mbajë përgjegjësi për transferimin e papritur të Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në të Fierit. Në “Frontline” në Report Tv, avokati shprehet se ministri duhet të kishte informacion, të përgjigjej institucionalisht dhe ta takonte kryebashkiakun.
“Ne nuk mund të injorojmë përgjegjësinë politike që ka qoftë ministri i Drejtësisë, qoftë kryeministri i këtij vendi sepse ka 40 orë që kanë dijeni mbi këtë situatë. Asnjëri prej tyre nuk mund të shmanget as me kërkesa burokratike, as me heshtje. Përveç përgjegjësisë politike, Gogu ka përgjegjësi profesionale, institucionale dhe personale sepse minimalisht duhet të reagojnë. Çështja është që në momentin kur i është kërkuar në grupin e PS informacion mbi këtë çështje, Gogu duhet të kishte informacion në dorë sepse Endrit Shabani që ka qenë përballë Veliajt në beteja politike, në orën 10 të natës ka qenë aty dhe është përgjigjur institucionalisht si Avokat i Popullit. Në ndjeshmërinë politike, Gogu duhet të ishte mirëinformuar dhe të kishte shkuar ta takonte”, tha Ndreca.
Për ngjarjen, Ndreca shprehet se është një “thikë pas shpine” që mund të ishte ndalur nga 3 institucione.
“Kjo është thikë pas shpine! Nuk e di kush e ka ngulur, por di kush kishte mundësi mos ta bënte. Mundësi mos ta ngulte thikën Drejtoria e Burgjeve, ministri i Drejtësisë dhe kryeministri”, tha Ndreca.
Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar inspektim për transferimin e Veliajt dhe 23 të burgosurve të tjerë në ditët e fundit.
Lajmi kryesor:
U transferua në Fier, Ndreca: Veliaj i fortë psikologjikisht! Ndodhet vetëm në dhomë, e ruan një polic! I rrezikohet jeta, ka konflikt me një prej të burgosurve







