Veliaj nga Farka: Vila e pestë e Lulit pret se ai ka ku fle, sot duhet të strehojmë familjet e dëmtuara nga tërmeti (VIDEO)
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, thotë se vila e 5-të e Lulzim Bashës është absurdi më i madh në një kohë kur, ata që humbën shtëpitë në tërmetin e 26 Nëntorit presin dita-ditës të hyjnë në shtëpitë e reja që po rindërtohen
Redaksia 18 Janar 2021, 12:56 | Përditesimi: 18 Janar 2021, 15:57
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, thotë se vila e 5-të e Lulzim Bashës është absurdi më i madh në një kohë kur, ata që humbën shtëpitë në tërmetin e 26 Nëntorit presin dita-ditës të hyjnë në shtëpitë e reja që po rindërtohen.
Veliaj vizitoi sot 3 familje që u futën në shtëpitë e reja në Lundër të Farkës, ku theksoi se, detyra parësore është rindërtimi i banesave për njerëzit në nevojë dhe jo vilat e milionerëve.
“Ju më pyetët për vilën e pestë të Lulit, në anën tjetër të kodrës, ku jetojnë milionerët. Por, ata nuk janë halli ynë, vila e 5-të le të presë! Të mbarojë njëherë rindërtimi i të gjitha shtëpive të tërmetit, pastaj vila e pestë e Lulit sepse ai ka ku fle! Puna është të rregullojmë shtëpitë e atyre që nuk kanë ku rrinë.
Në politikë garon për të marrë pushtetin, jo si qëllim, por si mjet për të ndihmuar njerëzit. Për mua, përkufizimi i politikës është të angazhosh qeverinë, parlamentin, njësitë administrative dhe bashkitë, si instrumente për të rindërtuar shtëpitë e tërmetit, të ndihmosh njerëzit, të sjellësh vaksinën. Kurse politika për të pasuruar kunatin dhe për t’i shtuar vetes vilat, apo të vësh gjoba, është politikë e diskretituar”, u shpreh Veliaj.
Familjet që hynë pas një viti të vështirë në shtëpitë e tyre të reja u shprehën mjaft të lumtura.
“Na duket e pabesueshme, si në ëndërr. Edhe shtëpia ka dalë shumë e bukur”, u shpreh Merita Dallashi.
“Ne do vazhdojmë të jemi përditë në terren për të informuar publikun se sfida e kësaj mazhorance, edhe pas 25 Prillit, do të jetë rindërtimi. Fokusi i ditëve në vazhdim do të jetë pranë familjeve, të cilat presin të strehohen në shtëpitë e reja”, u shpreh deputeti Sadi Vorpsi.