Njësia 4 ishte ndalesa e dytë e turit të dëgjesave me qytetarët e Bashkisë së Tiranës për Buxhetin 2019 dhe bilancin e punës së realizuar në këto 3 vjet. Nga shkolla e re “Ardian Klosi”, e cila u ndërtua pikërisht gjatë këtyre 3 viteve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se Njësia 4 është simbol i transformimit që ka pësuar e gjithë Tirana, duke ndjerë më shumë se çdo njësi tjetër investimet e bëra. Kjo jo vetëm sa i përket rehabilitimit të Lumit Tirana, por për të gjitha punët e bëra, duke nisur nga më të vegjlit me çerdhet, kopshtet dhe shkollat, infrastruktura rrugore, ujësjellës etj. Për këtë ai theksoi se çdo qytetar që i besoi votën 3 vite më parë duhet të ndihet krenar.
“Janë gjithmonë të sikletshme takimet kur kthehesh në vende ku s’ke mbajtur fjalën, ku s’ke bërë asnjë punë, por duke filluar nga salla ku jemi sot e deri tek rruga që na solli këtu, te mënyra si ka ndyshuar kjo lagje, besoj se secili që i thotë vetes socialist duhet ta mbajë kokën lart e të ndihet krenar që partia jonë, vota për forcën tone, sjell një transformim të paimagjinueshëm. Ne nuk jemi një forcë që ndryshon gjërat një herë në katër vjet, ne jemi një forcë politike që çdo javë ndryshon diçka. Bregu i Lumit ishte një fjalë fyese; po t’i thoje dikujt je nga Bregu i Lumit, praktikisht po i thoje, s’ ke vlerë, unë s’flas me ty, je pa dinjitet, ik kthehu nga ke ardhur! Sot të thuash Bregu i Lumit është tjetër gjë, kjo është një ndër shkollat më të mira jo në Tiranë, por në Republikë”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Një nga investimet më të mëdha dhe që kanë sjellë një transformim rrënjësor në Njësinë 4 është ai për rehabilitimin e Lumit Tirana dhe zhvendosja e familjeve rome që jetonin aty në banesa komode. “E gjithë kjo zonë ku sot është shkolla përmbytej. Sot jemi dita me natën. Mënyra se si mbaroi në kohë rekord i gjithë transformimi i Lumit të Tiranës, bashkëpunimi që patëm në komunitet, njerëzve u duket si përrallë nga e kaluara, kur para tre vitesh mblidhnim plaçkat në krahë dhe bënim evakuimet. Kur kujtoj ata të partisë së Babales që jepnin konferenca për shtyp, ne duke ndihmuar njerëzit, ata konferencë për shtyp, e thoshin mos të hiqen njerëzit nga Bregu i Lumit. Jo, mor shok, jo, ke të drejtë të banosh dhe ne të kemi çuar në banesë sociale”, tha Veliaj.
Sa i përket investimeve në sistemin e infrastrukturës arsimore, Veliaj bëri të ditur se pas plotësimit të nevojave më imediate në këtë fazë të parë me çerdhet, kopshtet dhe shkollat, puna do të vijojë më tej. “Kemi parë që lagjja ka nevojë edhe për shkolla të tjera. Jemi në fazën që po prokurojmë disa shkolla të reja që do t’i shërbejnë edhe komunitetit të Njësisë 8 dhe 4, duke qenë se janë dy njësi administrative kufitare. Në shkollën ‘Ardian Klosi’ kemi menduar të fusim konceptet e programimit dhe të informatikës. Ne kemi rikonstruktuar 5 kopshte, 4 çerdhe, dy shkolla, dhe kemi ndërtuar shkollën e re “Ardian Klosi”. Ajo çfarë është bërë me kopshtet dhe çerdhet në këtë komunitet, por dhe në gjithë Tiranën në këto 3 vite, duhet të na bëjë të gjithëve të ndihemi mirë, se gjenerata që po vjen i ka kushtet më mirë se gjenerata që iku. Bëmë një rehabilitim dhe instalim të sistemit të ngrohjes për shkollën 9-vjeçare “Gjon Buzuku”; rikonstruksion të plotë të shkollës specaile “Luigj Kurakuqi”. Ndërkohë, me projektin “Shkolla – qendër komunitare”, kemi hapur shkollat “Eqerem Çabej”, “Bajram Curri” dhe “Ardian Klosi”, ku zhvillohen kurset e basketbollit”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës dha edhe lajmin e mirë për të gjitha ato familje që nuk kanë mundësi që të blejnë një banesë. Siç ka ndodhur në dy fazat e tjera, sërish rreth një mijë familje të reja në Tiranë do të përfitojnë shumë shpejt një kredi të butë nga Bashkia e Tiranës, e cila merr përsipër të subvencionojë interesat e tregut bankar. Por, përveç kredive të buta, Bashkia e Tiranës ka edhe tre skema të tjera për të mbështetur familjet, të cilat nuk kanë mundësi ekonomike që të sistemohen në një strehë.
Veliaj u ndal edhe në një nga projektet më ambiciozë të Bashkisë së Tiranës, si ndërtimi i korsive të dedikuara të biçikletave, sikundër po ndodh edhe në qytetet më të zhvilluara. “Kur takoj ndonjëherë njerëz që thonë shumë mirë me rrugët, por këto korsitë e biçikletave na e kanë ngushtuar pak rrugën? Korsia është po ajo që ka qenë sepse korsitë e biçikletave ose janë në trotuar ose aty ku parkoheshin makinat. Kjo e biçikletave është një gjë që po ndodh kudo në botë. Për sa kohë që për Bashkinë e Tiranës gjithë njerëzit janë njësoj, secili do të ketë korsinë e vet të transportit, qoftë transport publik, qoftë biçikletë, qoftë makinë”, tha ai.
Në dëgjesën me banorët e Njësisë Nr.4 në kryeqytet, Veliaj listoi edhe një sërë projektesh të rëndësishme që janë konkretizuar, duke përmirësuar ndjeshëm edhe cilësinë e jetesës për komunitetin e kësaj zone, si: rikualifikimi urban i bllokut nga rruga e “Dibrës”-“Njazi Meka”-“Niko Avrami”-“Grigor Perlecev”, rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike Tufinë, rehabilitimi I Fasadave në Godinat Publike në rrugën e Dibrës, rikonstruksioni i shumë prej rrugëve të brendshme nëpër lagje, rruga “Shefqet Kuka”, rikonstruksioni i rrugës së Dibrës, ndërtimi dhe Rikonstruksioni i rrugës “Selaudin Bekteshi”, rrugës "Imer Ndregjoni" dhe rrugës “Xhanfize Keko”. Gjithashtu, ai shtoi se vetëm në njësinë 4 në kryeqytet është bëra asfaltimi i 62 rrugëve, tre herë më shumë se gjithë vitet 2011-2015 të marra së bashku dhe është shtuar ndriçimi nga e para në 25 rrugë. Veliaj u shpreh se sot në Tiranë është arritur 80% e ndriçimit, ndërkohë që tre vite më parë ishte më pak se 30%. Ai siguroi se deri në fund të mandatit do të sigurohet dhe ndriçimi 100% i kryeqytetit.
Krahas projekteve me rëndësi strategjike për qytetin, në këto tre vite Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të posaçme edhe investimeve nëpër lagje, duke rehabilituar blloqe të tëra pallatesh. Duke u ndalur tek investimet, Veliaj nënvizoi se motoja e Bashkisë së Tiranës do të jetë edhe për këtë vit ndërhyrja deri në nivel kapilar në çdo pallat e rrugicë. Siç parashikohet në Planin e Përgjithshëm Vendor, Veliaj tha se Kinostudio do të jetë një nga poliqendrat e reja të qytetit, duke u ofruar qytetarëve të saj të gjithë shërbimet e nevojshme. Bashkia e Tiranës ka filluar projektin për rehabilitimin e gjithë qendrës në Kinostudio. Ai nënvizoi se puna e nisur që në fillim të këtij mandati me këndet e terrenet sportive do të vijojë edhe vitin dhe mandatin tjetër, për t’u siguruar që çdo lagje e Tiranës të ketë një hapësirë ku të luajnë fëmijët dhe të kalojnë kohën e lirë të rriturit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi vendimin e qeverisë për ndalimin e basteve dhe kazinove, duke theksuar se ai do të sjellë një efekt të ndjeshëm në buxhetet e shumë familjeve të Tiranës. “Javën e kaluar kishim një tjetër vendim shumë të rëndësishëm. Është një nga vendimet më të mrekullueshme që nuk besoj ka grua, zonjë, nënë, kryefamiljare në Tiranë që të mos gëzohet: ndalimi me ligj i pikave të basteve në Tiranë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë dhe ta mbështesim qeverinë tonë, që në datën 1 janar, të çohemi në një Tiranë pa baste, pa kazino, pa bingo, më shumë para për familjet dhe më shumë kohë për gjithë fëmijët e qytetit tonë”, tha Veliaj.
Kryetarja e PS për Tiranën, Blerina Gjylameti vlerësoi punën e bërë nga kryebashkiaku Veliaj dhe transformimin fantastik që ka pësuar kryeqyteti. Ajo nënvizoi se tashmë është rikthyer vëmendja edhe tek periferia ku ndryshimi është i prekshëm. “Duhet të jemi të gjithë krenarë që para tre vitesh i dhamë votën Erionit dhe PS. Tirana ka ndryshuar, jo vetëm nga sheshi “Skënderbej” që fitoi atë çmim fantastik, por edhe këtu në Njësinë 4, që ka një nga shkollat më fantastike, që i ka kthyer ndriçimin edhe periferisë. Ndaj kemi këtë llogaridhënie, për të treguar çfarë premtuam para 3 vitesh, çfarë bëmë, dhe çfarë do të bëjmë. Erionin dua ta falenderoj për Njësinë 4 dhe do t’i them se ne qytetarët e Tiranës do të vazhdojmë të punojmë shumë fort për të ecur me tutje, pasi këtë që kemi nisur duam ta vazhdojmë. Ndaj, Erion, vëmendja jonë ndaj jush, dhe vëmendja juaj ndaj nesh, duhet të vazhdojë, mbështetjen e kryetarit Edi Rama e kemi, mjafton që të jemi çdo ditë afër qytetarëve”, deklaroi Gjylameti.
Deputeti i PS, Sadri Abazi, u shpreh se puna e Erion Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës është e dukshme dhe e prekshme nga të gjithë qytetarët. Ai tha se tashmë, gara nuk është me opozitën, por me vetveten, për të çuar edhe më tej projektet e nisura. “Me punën që ka bërë jemi të gjithë krenar për Erionin. Ndaj, mund të themi me plot gojën se vota e qytetarëve të Tiranës nuk ka shkuar kot. Por jemi këtu që të vazhdojmë me vëmendjen ndaj qytetarëve. Ne nuk humbim kohën duke u marrë me akuzat e opozitës, por merremi me punët. Faleminderit Erion, për punën që po bën dhe vota jonë është për ty, për Edi Ramën dhe për PS. Opozita e ka humbur misioni e saj, ndaj ne nuk do e humbin kohën duke rendur pas opozitës, për ne koha është e shtrenjtë për të punuar për qytetarët e Tiranës”, tha deputeti Abazi.
..eja edhe ke 21 Dhjetori..,Rr Frosina Plaku e Kongresi i Lushnjes...,te Mondiali...,se asgje s"ke bere"...
Përgjigju