Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar nga qelia lidhur me kërkesën depozituar në Prokurorinë e Tiranës për të zbuluar se kush fshihet pas Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit, dy kallëzuesit nismëtare për nisjen e hetimeve ndaj Veliajt.

Erion Veliaj thotë se SPAK në këtë rast ka bërë përjashtim nga rregulli bazë i pranimit të kallëzimeve, pasi e ka kthyer në kallëzim penal të vlefshëm një dokument që ka formën e një informacioni dhe lidhet me një identitet të rremë.

Reagimi i plotë i Erion Veliajt

Sot bëra një kallëzim penal për dy “kallëzuesit” inekzistentë “Nesti Angoni” dhe "Nasta Pëllumbi”, me anë të të cilit kërkoj hetimin e dokumentit që shërbeu si bazë për nisjen e procedimit penal ndaj meje.

Në kallëzimin tim, të depozituar pranë Prokurorisë së Tiranës, unë kam referuar se procedimi penal nr. 27/2024 është nisur mbi bazën e një dokumenti të nënshkruar nga një person i vetëquajtur “Nesti Angoni”, i cili, sipas verifikimeve zyrtare, nuk ekziston në regjistrat e gjendjes civile.

Në thelb të kallëzimit tim qëndron pretendimi se nuk kemi të bëjmë me një kallëzim anonim, por me një simulim të një kallëzuesi real, të materializuar me emër dhe nënshkrim, me qëllim krijimin e një besueshmërie artificiale përpara organit të akuzës. Sipas dokumentit, kjo përbën jo vetëm falsifikim, por edhe një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në mekanizmin e nisjes së ndjekjes penale, pasi mbi këtë bazë janë ndërmarrë veprime hetimore me pasoja konkrete juridike.

Një nga pikat më të forta të kallëzimit të depozituar prej meje lidhet me standardin që vetë SPAK ka shpallur publikisht: vetëm kallëzimet që përmbushin kriteret formale dhe procedurale mund të regjistrohen si të tilla. Megjithatë, në këtë rast është vepruar në kundërshtim me këtë standard, duke ngritur në mënyrë artificiale në rangun e një kallëzimi penal të vlefshëm një dokument që nuk është paraqitur si kallëzim penal, ka formën e një informacioni dhe lidhet me një identitet të rremë.

Kjo ngre një pyetje të drejtpërdrejtë: “Pse vetëm në këtë rast është devijuar nga standardi që vetë SPAK ka shpallur?”

Në kallëzimin tim evidentohet gjithashtu, ekzistenca e një materiali të dytë të ngjashëm, të lidhur me një tjetër identitet të pa verifikueshëm, “Nasta Pellumbi”. Sipas argumentimit, kjo situatë ngre dyshime të forta për një burim të përbashkët, një autor të vetëm që përdor identitete të ndryshme ose një mekanizëm të strukturuar për krijimin e kallëzimeve artificiale.

Dokumenti thekson se çështja nuk ka vetëm dimension penal, por edhe institucional. Përdorimi i një identiteti të rremë për të vënë në lëvizje ndjekjen penale ndaj një funksionari të zgjedhur, sipas kallëzimit të bërë nga unë, prodhon pasoja që shkojnë përtej individit. Në kallëzim shpjegoj se një ndërhyrje e tillë ka ndikuar në funksionimin e institucioneve publike, cenuar balancat e krijuara nga vota demokratike dhe kërkon hetim të plotë të qëllimeve dhe interesave që qëndrojnë pas saj.

Në përfundim, kërkova regjistrimin e një procedimi penal për falsifikim dokumentesh, identifikimin e autorit real të dokumentit dhe hetimin e plotë të rrethanave që çuan në nisjen e procedimit penal ndaj meje.


Lajmi kryesor:

‘Kallëzues inekzistentë’, Veliaj padi për falsifikim dokumentesh në Prokurorinë e Tiranës: Zbuloni kush fshihet pas Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit