TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mirëpriti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Katarit, Dr. Ahmad Hassen Al-Hammadi. Duke i shprehur mirënjohjen në emër të qytetarëve të Tiranës për ndihmën e dhënë Shqipërisë pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019, Veliaj tha se bashkëpunimi me vendin mik të Katarit do të vijojë në disa projekte të tjera për kryeqytetin.
“Kemi punuar bashkë për nevojat që lindën pas tërmetit dhe pandemisë. Katari ka qenë gjithmonë aty, për të na ndihmuar. Kemi bërë disa shkolla fantastike, siç është shkolla në Pezë, shkolla “Jeronim De Rada” në Tiranë, shkolla në Kombinat, apo kopshti në ish Bllok. Jemi shumë mirënjohës për gjithë këtë ndihmë dhe shumë falënderues! Nuk do ia kishim dalë dot vetëm pa ndihmën e vëllezërve e motrave nga Katari dhe mezi pres që ky bashkëpunim të vazhdojë,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku përmendi disa prej fushave të reja të bashkëpunimit me shtetin e Katarit për të cilat tha ai janë tashmë gati projektet e Bashkisë së Tiranës.
“Kemi shumë projekte të tjera, siç është sheshi fundor te Bulevardi i Ri, apo investimet në Ujësjellësin e Tiranës, dhe bashkëpunimi me Katarin është jo vetëm si ndihmë financiare, por edhe asistencë teknike. I shpreha Dr. Ahmad të gjithë mirënjohjen e qytetit të Tiranës dhe qytetarëve tanë për këtë ndihmë shumë të çmuar. Siç thotë ajo shprehja, ‘miku i mirë njihet në ditët në nevojë’ dhe ne ju kemi njohur edhe në kohë të vështira, ndaj ju kemi parë si aleatë, si miq, si vëllezër në këto të vështira që kaluam. Ju jemi shumë mirënjohës për të gjithë ndihmën dhe mezi pres që ditë më të mira të marrëdhënies së Shqipërisë me Katarin, e Tiranës me Dohën t’i kemi përpara,” shtoi Veliaj.
Dr. Ahmad Hassen Al-Hammadi, falënderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen dhe vlerësoi rolin e Shqipërisë gjatë kohës së bllokadës ndaj shtetit të Katarit.
“E falënderoj shumë kryetarin e Bashkisë për fjalët e ngrohta që tha për shtetin e Katarit dhe për mikpritjen që na rezervoi. Sigurisht, marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë shumë të shkëlqyeshme. Për ne Shqipëria është një vend i rëndësishëm, ku kemi edhe shumë gjëra të përbashkëta, jo vetëm për nga përmasat gjeografike dhe numrin e popullatës, por jemi 2 popuj që duam paqen, punojmë për paqen. Sigurisht nuk e harrojmë dot qëndrimin shumë nderues të Shqipërisë përgjatë kohës së krizës, bllokadës ndaj shtetit të Katarit, apo vëllezërve të tyre në rajonin e Gjirit Persik. Sa i takon bashkëpunimit, është një derë që është hapur dhe nuk është as fillimi, nuk do të jetë as fundi. Do të kemi bashkëpunim të mëtejshëm në të gjitha fushat,” nënvizoi Dr. Ahmad Hassen Al-Hammadi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës i dhuroi Dr. Ahmad Hassen Al-Hammadi, Kullën e Sahatit, në shenjë mirëpritjeje në qytetin e Tiranës.