Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet për një vizitë në Uashington, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në Kongresin dhe Senatin Amerikan. Veliaj u prit nga kryetarja e Kongresit, Nensi Pelosi, si dhe nga ish kandidati për President të SHBA-së, senatori Mitt Romney.

Në një postim në rrjetet sociale, krahas videos e fotove nga vizita, Veliaj shkroi se në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, raportet janë sot në nivelin më të mirë.

“Shumë i lumtur nga mikpritja e ngrohtë e kryetares së Kongresit Amerikan Nensi Pelosi dhe senatorit Mitt Romney në Uashington. Më vjen mirë që, në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportet mes dy vendeve sot janë në nivelin më të mirë. Ishte kënaqësi të takoja edhe kongresmenin e Nju jorkut, Ritchie Torres, dhe udhëheqësin e shumicës në Senatin Amerikan, Charles Schumer”, u shpreh Veliaj.

"Lidhja jone eshte me shume se aleance shtetesh, eshte aleance popujsh", shtoi ai.

Siç pohoi ai, në takimin me kryetaren e Kongresit, Veliaj e informoi Pelosin lidhur me zhvillimet e fundit dhe e ftoi atë për një vizitë në Tiranë.

“E njoha kryetaren Pelosi me të gjitha të rejat nga Tirana dhe Shqipëria. Kryeministri ynë ka një respekt të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një aleat kryesor, si një lider i vendosur dhe si dikush që ka marrë gjithmonë vendimet e drejta, si për aleatët tanë amerikanë dhe të NATO-s, ashtu edhe për të mikpritur ata që janë në nevojë, nuk ka rëndësi nëse janë ukrainas, afganë apo qoftë edhe iranianët e strehuar në Tiranë”, u shpreh Veliaj.

Vizita e kryebashkiakut Veliaj në Uashington do të vijojë me takime të tjera të rëndësishme, por edhe me komunitetin shqiptar që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:09
Veliaj takim me senatorin Mitt Romney: Faleminderit për mbështetjen e palëkundur të Amerikës për Shqipërinë

Siguria kibernetike ishte në qendër të takimit të zhvilluar në Uashington mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe senatorit Mitt Romney. Në vijim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryebashkiaku takoi edhe senatorin republikan, i cili shprehu mbështetjen për Shqipërinë. 

“Shumëkënaqësi të takoja senatorin Mitt Romney, një zë me dinjitet në politikë. Nuk ka rëndësi nëse jetojmë në një qytet në perëndim të Utah apo në lindje të Shqipërisë, sfida e sigurisë kibernetike po bëhet gjithnjë e më sfiduese dhe nevoja për përgjigje është jetike. Faleminderit Mitt Romney për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për Shqipërinë”, thekson kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj po zhvillon një sërë takimesh të rëndësishme në SHBA, mes të cilëve dhe anëtarë të Senatit dhe Kongresit.