91 gra dhe vajza janë punësuar në Patos të Fierit në kompaninë e fasonit “Picari” pavarësisht bindjeve politike të tyre. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj tha se Fondi i Nxitjes së Punësimit është mënyra më e mirë për të ndihmuar njerëz me ndihmë ekonomike që të punësohen.

Ministri Veliaj tha se pavarësisht bindjeve politike, interesi më i madh publik dhe politik sot është punësimi i sa më shumë qytetarëve.

“Përtej cinikëve që thonë se nuk do të punojmë të gjithë në fason, por as drejtorë s’mund të bëhemi të gjithë sepse Shqipëria ka nevojë të prodhojë. Për ata që nuk kanë një arsim të lartë apo jetojnë me ndihmë ekonomike, puna në fason është një punë e mirë”, theksoi ministri Veliaj, pasi vizitoi ambientet e kompanisë “Picari”.

Në rrethin e Fierit janë 255 zonja që kanë përfituar nga Fondi i Nxitjes së Punësimit, ndërsa shumë shpejt do të organizohet edhe një raund i dytë për ato kompani që duan të bëhen pjesë e një prej gjashtë programeve përfituese.

“Paratë e ndihmës ekonomike më mirë t’i përdorim për të paguar sigurimet shoqërore dhe disa paga minimale duke i drejtuar njerëzit në punësim, sesa t’u japim lëmoshë dhe të inkurajojmë njerëz që jetojnë prej 23 vitesh me ndihmë ekonomike, pa i kthyer kurrë sytë nga puna”, theksoi Veliaj.

Në rrethin e Fierit janë miratuar gjithsej 9 programe të nxitjes së punësimit, me një fond prej 17 milion lekësh.  



Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)