TIRANË - "MMSR do të përpiqet që personat me aftësi të kufizuar, gratë apo të rinjtë të jenë të privilegjuar në përfitimin nga skema e subvencionit të sigurimeve shoqërore, sepse vetëm kështu ata mund të gjejnë punë dhe do të kenë mundësi të përballojnë shpenzimet e tyre", ka deklaruar sot ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj gjatë vizitës në një fabrikë këpucësh "Made in Albania".

Veliaj ka theksuar se “projekti ynë ka të bëjë me subvencionimin e sigurimeve shoqërore për ato biznese që punësojnë gratë dhe prodhojnë ‘Made in Albania’. Për çdo punonjës që do të punësohet vitin tjetër, në bazë të konkurrencës ne do t’u rimbursojmë sigurimet shoqërore atyre bizneseve që i japin përparësi punësimit të të rinjve, grave dhe personave me aftësi të kufizuar”.

erion veliaj
(Në foto: Nga vizita e ministrit Erion Veliaj në fabrikën e këpucëve në Tiranë).

 
“E dimë se puna në “call center” apo në fasoneri, nuk është puna më e lakmueshme. Por, gjithsesi është më mirë se të punosh në një pikë bastesh apo të harxhosh kohën në kafe”, shtoi ministri Veliaj.

Pasi ndoqi nga afër procesin në një ditë të zakonshme pune, Veliaj nënvizoi se qeveria shqiptare do të krijojë një marrëdhënie të re me biznesin, në mënyrë që ky i fundit ta shohë qeverinë si aleate, si dhe ajo është e vendosur të mbështesë dhe promovojë ato biznese që punësojnë sa më shumë njerëz.
 
Kompanitë e mëdha si "Mici shoes", që kanë punësuar rreth një mijë persona, mund të përfitojnë nga skema e subvencionimit të sigurimeve shoqërore. “Këto lloj biznesesh do të jenë prioritet për ne”, shtoi Veliaj. Nga ana tjetër, ai shpjegoi se qeveria do t’i shohë bizneset si një potencial për të stimuluar punësimin, ndërsa bizneset duhet ta shohin qeverinë si një agjent marketingu për produktet shqiptare.
 
Nga ana tjetër, Veliaj u shpreh se MMSR-ja do të eksplorojë nevojat unike, që ka tregu i fasonerisë, siç është të pasurit e një shkolle profesionale për dizajnin dhe modën, sepse sipas tij, është shumë e nevojshme që bizneset e mëdha të kësaj fushe t’i gjejnë ekspertët e tyre në Shqipëri, pa dashur të punësojnë të huaj, kryesisht nga Italia.


erion veliaj
(Në foto: Nga vizita e ministrit Erion Veliaj në fabrikën e këpucëve në Tiranë).

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)