Veliaj ritakon mësuesen e tij te “Sami Frashëri” i rindërtuar: Dikur rrinim 3 vetë në një bankë, sot duket si hotel me 5 yje

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi vizituan në ditën e parë të vitit të ri arsimor shkollën e re, “Sami Frashëri”, të rindërtuar pas tërmetit, në Tiranë. Veliaj, i cili rikthehet në ish-shkollën e tij, tha se ajo ka vendosur një standard të ri në infrastrukturën arsimore në vendin tonë. Në një prej klasave, Kryebashkiaku ritakoi edhe një prej mësueseve të tij, në kohën kur mësonte në bankat e kësaj shkolle, zysh Odetën. 

Pjesë nga biseda me mësuesen: 

Veliaj: Hera e parë që shoh që ka vend nëpër klasa. Ishim 3 veta në bankë dhe përsëri s’kishte vend. 

Mësuesja: Ishim 42 veta në klasë.

Një mësuese tjetër: Edhe 56. 

Veliaj: Po bënim shaka me ministren, duket si hotel me 5 yje. Ju duhen 2-3 javë të zbuloni ku janë gjërat se është ambient kaq i madh. 

Kushi: Sa mirë që kemi dhe programet e artit e të zejeve, që të rrinë më gjatë në shkollë, jo vetëm sa është orari mësimor. 

Veliaj: Jam i sigurt që do na nderoni se vërtet vendi ka shumë nevojë, - më thonë “ja se është edhe kjo rruga për t'u investuar”, - se asgjë nuk është perfekte, por kur dilni ju mirë, apo kur po dëgjoja që bashkëmoshatarja juaj kishte fituar në të 10 degët, thua ia vlejti edhe sherri, edhe debati per shkollen, se ndonjëherë pa debate e sherre nuk bëhen punët, e kur mendoj se hoqëm picirin për ta bërë këtë shkollë, se u përfshi edhe politika, i vetmi shpërblim është të dilni ju mirë. Po dolët ju mirë, pastaj të gjitha harrohen, edhe lodhja edhe debatet edhe përpjekjet. 

Ndërkohë gjatë fjalës së saj Ministrja Kushi e quajti gjimnazin Sami Frashëri një krenari për nxënësit dhe mësuesit, për ish-nxënësit dhe ish-mësuesit, por edhe për vetë ministren dhe ata që janë pjesë e sistemit arsimor, për banorët e zonës dhe të gjithë qytetarët në Tiranë.Ministrja theksoi se ky gjimnaz ka patur rezultate të jashtëzakonshme edhe kur ishte një godinë e vjetër, ndaj tani me godinën e re moderne do të jetë edhe më i mirë.

Kushi tha se kjo ndërtesë është ndërtuar me standardet më të mira, edhe pse u përfol shumë, ajo që mbetet është puna dhe kjo shkollë.

“Përgjegjësia jonë është që emrin e kësaj shkolle ta çojmë akoma më lart. Ka edhe një arsye tjetër që kjo shkollë të ketë cilësi maksimale. Është emri i Sami Frashërit, një nga rilindasit që na ka lënë një trashëgimi të pasur, me vepra e mesazhe.

Me një shprehje të madhe të Sami Frashërit “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër edhe grurë. Nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim dhe kulturë”, Ministrja Kushi dha edhe mesazhin kryesor mbi arsimin në këtë ceremoni përurimi.

Viti i ri arsimor në shkollën Sami Frashëri ka nisur me 1300 nxënës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
Veliaj përuron ‘Sami Frashërin’: Brezi juaj duhet të bëjë më shumë se i yni, mos i vini stërkëmbësha njëri-tjetrin për hatër të politikës

 

Dita e sotme ishte një ditë e rëndësishme për nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët e nisën vitin e ri mësimor në shkollën e re, të transformuar dhe dy herë më të madhe se ajo që u dëmtua nga tërmeti i 2019.

Kryebashkiaku Erion Veliaj zgjodhi jo pa qëllim ish-shkollën e tij për të uruar nxënësit për vitin e ri shkollor. Ai nuk i fshehu emocionet e nxënësit të dikurshëm të “Sami Frashërit”, i cili u rikthye për të përuruar shkollën e rindërtuar si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

“Është një emocion i jashtëzakonshëm! Secili prej nesh është thirrur të shërbejë në fushën e tij, por ndonjëherë shumë prej ëndrrave që kemi, nuk arrijmë t’ua shohim fundin. Monumenti i vërtetë i ‘Samiut’ është kjo super hapësirë, një shkollë që duket si hotel me 5 yje, me auditorë, me palestër të përmasave olimpike, me bibliotekë më të mirë se shumica e shkollave tona. Por, nuk besoj se kjo është arritja e vërtetë, sepse monumenti i vërtetë që lartësohet dhe prodhohet në këtë shkollë janë Kaltri dhe Marsi [dy nxënës që përfunduan gjimnazin me nota të shkëlqyera] dhe gjithë Kaltrat e Marsat e tjerë. Puna ime, sado e madhe të duket, është në fakt e lehtë dhe e shkurtër, por puna për të ndryshuar këto 10 cm [në kokat tona] te çdo Kaltër e çdo Mars është puna e përditshme; një punë që ndoshta do shumë durim, shumë mund dhe pak pritje, derisa t’i shohim “dukun”, që t’i shohim nesër kryetarë bashkie apo kryeministra”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku preku edhe vështirësinë që pati rindërtimi i shkollës “Sami Frashëri” pas ndërhyrjes dhe pengesave të politikës së ditës.

“Kam një mesazh për Kaltrën, Marsin dhe për çdo vajzë dhe djalë të Tiranës: Kjo shkollë ka prodhuar kryeministra, presidentë, disa kryetarë bashkish, ka prodhuar pafund ministra, personalitete, por qartazi, gjenerata jonë, edhe pse ia doli të kishte sukses, ca gjëra nuk i bëri në mënyrë perfekte. Për të ndërtuar këtë shkollë më është dashur të debatoj me kolegë, ish nxënës të ‘Samiut’, që politika i ndau në të majtë dhe në të djathtë. Unë nuk e di nëse secili prej jush do të shkojë majtas apo djathtas në politikë, por do ishte mëkat shumë i madh nëse brezi juaj do të bëjë të njëjtat gabime si ne, që kur Marsi të bëjë një punë, Kaltri t’i hidhet në fyt dhe t’i thotë: ‘Kush je ti që e bën këtë? Do bësh gradaçela në shkollën tonë dhe anasjellas!’. Nëse Kaltri do bëjë një punë, Marsi ti s’mund të jesh aty për t’i vënë stërkëmbëshin, por përkundrazi, për t’i thënë se kemi një kod që është përtej politikës së ditës dhe kodi ynë është: Kush punon, i themi bravo të qoftë! Kush ka nevojë për ndihmë, i japim një dorë! Kush ecën më shpejt, i japim kurajo! Vetëm me këtë energji pozitive mund të ndryshojmë, që brezi juaj të jetë më i mirë se brezi ynë,” tha Veliaj.

Në fund kryebashkiaku tha se e në shtator të gjithë ata që kundërshtuan, edhe kur bëhet fjalë për shkolla si “Sami Frashëri”, janë të ftuar në megafestën e përurimit.

“Në fund të muajit dua të organizojmë një aktivitet jo festiv, por pajtues. Kemi nevojë për një frymë pajtuese. Ndodhi çfarë ndodhi, bëmë gjithë ato debate, por shkolla ja ku është! Nuk është në Paskuqan, vërtet duket si një ndërtesë private apo hotel me 5 yje, por është publike. Në fund të shtatorit dua të kemi një megafestë, ku themi eja bashkohemi të gjithë. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se ato që na ndajnë! Le të bëjmë një megafestë pajtimi, vëllazërie dhe dashurie ashtu siç do e donte Sami Frashëri,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Ora 11:32
Hapen 12 shkolla të reja në Tiranë, Veliaj letër urimi nxënësve: E ardhmja e qytetit e lidhur pashmangshmërisht me të ardhmen tuaj

Pas çeljes së 14 shkollave një vit më parë, dita e sotme shënoi edhe hapjen e 12 shkollave të reja në Tiranë, mes të cilave edhe gjimnazin historik “Sami Frashëri”.

Por, nxënësit e shkollave të Tiranës morën sot, në ditën e parë të shkollës, edhe një letër nga kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes së cilës ai u uron suksese për vitin e ri shkollor. Ai thekson se ky vit mësimor përkon jo vetëm me Tiranën, Kryeqytetin Evropian i Rinisë, por edhe me hapjen e shumë shkollave të reja. 

“Nuk e vë në dyshim: do ta mbani mend si kohën e projekteve dhe ngjarjeve më të jashtëzakonshme rinore, që i kanë kapërcyer kufijtë e kryeqytetit. Një pjesë e madhe prej jush do ta mbani mend se për herë të parë, në vitin e Tiranës Kryeqytet Evropian të Rinisë, keni shkelur në shkolla të reja, plot dritë, hapësirë dhe standarde evropiane, ku ke dëshirë të mësosh. Unë, shkollat e reja parapëlqej t’i quaj stoli, të cilat sot janë me klasa të mëdha, kanë salla bibliotekash, palestra e fusha sportive, laboratorë informatike, fizike, biologjie, pa asnjë dallim me shkollat dinjitoze nëpër Evropë. Të tilla, vitin e kaluar, hapëm 14, kurse këtë vit edhe 12 të tjera, mes të cilave edhe gjimnazin historik “Sami Frashëri”, për të cilin jam veçanërisht krenar”, thekson Veliaj.

Bashkë me angazhimin për të qenë gjithmonë në mbështetje të tyre, Veliaj shprehet se Tirana ka ecur me hapa të shpejtë. “Tirana ka ecur me hapa të shpejtë, çdo ditë kemi bërë një punë konkrete. Por, pa përkrahjen tuaj, asgjë s’do të ishte e mundur! Ju shohim si filizat e një lisi që do të rritet drejt dhe lart, por deri atëherë ka nevojë për përkujdesje. Ne po përpiqemi t’i përmbushim detyrat tona. Bëjini edhe ju përpjekjet tuaja: mësoni fort! Sot, për dikë nis, për dikë vazhdon rrugëtimi drejt një bote më të mirë, një të ardhmeje të ndritur, që e keni ju në dorë! E ardhmja e Tiranës lidhet pashmangshmërisht me të ardhmen tuaj”, mbyll letrën e tij kryebashkiaku Veliaj. 

Letra e plotë e Veliajt dërguar nxënësve: 

Të dashur nxënës,

Komunikimi mes nesh, në ditën e parë të shkollës, është kthyer në një traditë të bukur, të cilën mezi e pres, jo thjesht për t’ju thënë dy fjalë, por sidomos për t’i uruar secilit prej jush, një vit të mbarë dhe dalshi faqebardhë!
Më besoni, do të doja të isha atje me ju, t’ua shoh harenë në sy, tek takoheni me shokët dhe mësuesit, por në pamundësi që të jem me të gjithë njëkohësisht, vendosa t’ju shkruaj ca fjalë zemre.
Ky shtator ka një të veçantë, sidomos për nxënësit e Tiranës: i përket një viti të rrallë, siç është 2022-shi, Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Nuk e vë në dyshim: do ta mbani mend si kohën e projekteve dhe ngjarjeve më të jashtëzakonshme rinore, që i kanë kapërcyer kufijtë e kryeqytetit. Një pjesë e madhe prej jush do ta mbani mend se për herë të parë, në vitin e Tiranës Kryeqytet Evropian të Rinisë, keni shkelur në shkolla të reja, plot dritë, hapësirë dhe standarde evropiane, ku ke dëshirë të mësosh.

Unë, shkollat e reja parapëlqej t’i quaj stoli, të cilat sot janë me klasa të mëdha, kanë salla bibliotekash, palestra e fusha sportive, laboratorë informatike, fizike, biologjie, pa asnjë dallim me shkollat dinjitoze nëpër Evropë. Të tilla, vitin e kaluar, hapëm 14, kurse këtë vit edhe 12 të tjera, mes të cilave edhe gjimnazin historik “Sami Frashëri”, për të cilin jam veçanërisht krenar.

Sot shkollat janë Qendra Komunitare, ku koha e qëndrimit mbi libra pasohet me aktivitete sportive, kulturore, shoqërore, ashtu siç është më e mira për ju. Tej rrethimeve të shkollave, Tirana sot ofron të tjera hapësira edukimi. Për shembull, bibliotekat nëpër lagje apo Kopshti i ri Zoologjik, ku duke eksploruar botën e kafshëve të egra, mund të argëtoheni e mësoni njëkohësisht. Shumë shpejt do ta shihni Piramidën, kryekëput të transformuar, për ju! Shtëpia e re e qendrës TUMO, do të jetë më e madhja në Ballkan për teknologji dhe inovacion!
Miqtë e mi të vegjël e të rinj,

Tirana ka ecur me hapa të shpejtë, çdo ditë kemi bërë një punë konkrete. Por, pa përkrahjen tuaj, asgjë s’do të ishte e mundur! Ju shohim si filizat e një lisi që do të rritet drejt dhe lart, por deri atëherë ka nevojë për përkujdesje. Ne po përpiqemi t’i përmbushim detyrat tona. Bëjini edhe ju përpjekjet tuaja: mësoni fort! Sepse, siç thoshte Nelson Mandela: “Mësimi është arma më e fuqishme, që mund të përdorë dikush për ta bërë botën më të mirë”.
Sot, për dikë nis, për dikë vazhdon rrugëtimi drejt një bote më të mirë, një të ardhmeje të ndritur, që e keni ju në dorë! E ardhmja e Tiranës lidhet pashmangshmërisht me të ardhmen tuaj. 
E ripohoj çdo ditë besimin te ju! Bekime dhe përqafime! Erion Veliaj Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe fansi juaj më i madh.
 

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Berebe: 12/09/2022 19:31

    Mos na del dhe historia e zyshes si historia e fiqve dhe emigrimit…

    Përgjigju
  • Drini: 12/09/2022 17:33

    Une nuk do coja femijen te Samiu sepse ai gjimnaz ka nxjerre hajdute si Erion Instalacioni dhe Lul Mavria

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 12/09/2022 15:29

    E prishe wc e perkoheshme qe hetonte SPAKU o 99??? YYYYYYT rrace e korruptuar.

    Përgjigju
  • Turp: 12/09/2022 14:53

    Puthu me koken e korrupsionit mire ben por te pakten mos dil e shaj me Meten se le name.

    Përgjigju
  • Beton-Arme': 12/09/2022 14:27

    Ka lezet shkolla me gjithe ate oborr

    Përgjigju
  • Studenti: 12/09/2022 13:54

    Normale qe duket si hotel me 5*,se i keni ber me leket tuaja ????????.O politike e shtarur si majtas dhe djathtas kuptoni qe mungojne me shume se 250 mije rregjistrime 10 vitet e fundit qe nga klasa e pare,pa menduar qe dhe keta qe jan duke dal jan te giithe me mendjen per tu larguar nga ky vend i mallkuar nga ju hajduter xhepash me kostum shtrigash e shtrigantesh...Te pa fe,te pa ngopur moret me qaf nje komb vazhdoni punoni kunder kombit(vend i bekuar nga zoti,mallkuar qofshit)do ta paguani dhe ju te gjithe bashke..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt