Pas çeljes së 14 shkollave një vit më parë, dita e sotme shënoi edhe hapjen e 12 shkollave të reja në Tiranë, mes të cilave edhe gjimnazin historik “Sami Frashëri”.
Por, nxënësit e shkollave të Tiranës morën sot, në ditën e parë të shkollës, edhe një letër nga kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes së cilës ai u uron suksese për vitin e ri shkollor. Ai thekson se ky vit mësimor përkon jo vetëm me Tiranën, Kryeqytetin Evropian i Rinisë, por edhe me hapjen e shumë shkollave të reja.
“Nuk e vë në dyshim: do ta mbani mend si kohën e projekteve dhe ngjarjeve më të jashtëzakonshme rinore, që i kanë kapërcyer kufijtë e kryeqytetit. Një pjesë e madhe prej jush do ta mbani mend se për herë të parë, në vitin e Tiranës Kryeqytet Evropian të Rinisë, keni shkelur në shkolla të reja, plot dritë, hapësirë dhe standarde evropiane, ku ke dëshirë të mësosh. Unë, shkollat e reja parapëlqej t’i quaj stoli, të cilat sot janë me klasa të mëdha, kanë salla bibliotekash, palestra e fusha sportive, laboratorë informatike, fizike, biologjie, pa asnjë dallim me shkollat dinjitoze nëpër Evropë. Të tilla, vitin e kaluar, hapëm 14, kurse këtë vit edhe 12 të tjera, mes të cilave edhe gjimnazin historik “Sami Frashëri”, për të cilin jam veçanërisht krenar”, thekson Veliaj.
Bashkë me angazhimin për të qenë gjithmonë në mbështetje të tyre, Veliaj shprehet se Tirana ka ecur me hapa të shpejtë. “Tirana ka ecur me hapa të shpejtë, çdo ditë kemi bërë një punë konkrete. Por, pa përkrahjen tuaj, asgjë s’do të ishte e mundur! Ju shohim si filizat e një lisi që do të rritet drejt dhe lart, por deri atëherë ka nevojë për përkujdesje. Ne po përpiqemi t’i përmbushim detyrat tona. Bëjini edhe ju përpjekjet tuaja: mësoni fort! Sot, për dikë nis, për dikë vazhdon rrugëtimi drejt një bote më të mirë, një të ardhmeje të ndritur, që e keni ju në dorë! E ardhmja e Tiranës lidhet pashmangshmërisht me të ardhmen tuaj”, mbyll letrën e tij kryebashkiaku Veliaj.
Letra e plotë e Veliajt dërguar nxënësve:
Të dashur nxënës,
Komunikimi mes nesh, në ditën e parë të shkollës, është kthyer në një traditë të bukur, të cilën mezi e pres, jo thjesht për t’ju thënë dy fjalë, por sidomos për t’i uruar secilit prej jush, një vit të mbarë dhe dalshi faqebardhë!
Më besoni, do të doja të isha atje me ju, t’ua shoh harenë në sy, tek takoheni me shokët dhe mësuesit, por në pamundësi që të jem me të gjithë njëkohësisht, vendosa t’ju shkruaj ca fjalë zemre.
Ky shtator ka një të veçantë, sidomos për nxënësit e Tiranës: i përket një viti të rrallë, siç është 2022-shi, Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Nuk e vë në dyshim: do ta mbani mend si kohën e projekteve dhe ngjarjeve më të jashtëzakonshme rinore, që i kanë kapërcyer kufijtë e kryeqytetit. Një pjesë e madhe prej jush do ta mbani mend se për herë të parë, në vitin e Tiranës Kryeqytet Evropian të Rinisë, keni shkelur në shkolla të reja, plot dritë, hapësirë dhe standarde evropiane, ku ke dëshirë të mësosh.
Unë, shkollat e reja parapëlqej t’i quaj stoli, të cilat sot janë me klasa të mëdha, kanë salla bibliotekash, palestra e fusha sportive, laboratorë informatike, fizike, biologjie, pa asnjë dallim me shkollat dinjitoze nëpër Evropë. Të tilla, vitin e kaluar, hapëm 14, kurse këtë vit edhe 12 të tjera, mes të cilave edhe gjimnazin historik “Sami Frashëri”, për të cilin jam veçanërisht krenar.
Sot shkollat janë Qendra Komunitare, ku koha e qëndrimit mbi libra pasohet me aktivitete sportive, kulturore, shoqërore, ashtu siç është më e mira për ju. Tej rrethimeve të shkollave, Tirana sot ofron të tjera hapësira edukimi. Për shembull, bibliotekat nëpër lagje apo Kopshti i ri Zoologjik, ku duke eksploruar botën e kafshëve të egra, mund të argëtoheni e mësoni njëkohësisht. Shumë shpejt do ta shihni Piramidën, kryekëput të transformuar, për ju! Shtëpia e re e qendrës TUMO, do të jetë më e madhja në Ballkan për teknologji dhe inovacion!
Miqtë e mi të vegjël e të rinj,
Tirana ka ecur me hapa të shpejtë, çdo ditë kemi bërë një punë konkrete. Por, pa përkrahjen tuaj, asgjë s’do të ishte e mundur! Ju shohim si filizat e një lisi që do të rritet drejt dhe lart, por deri atëherë ka nevojë për përkujdesje. Ne po përpiqemi t’i përmbushim detyrat tona. Bëjini edhe ju përpjekjet tuaja: mësoni fort! Sepse, siç thoshte Nelson Mandela: “Mësimi është arma më e fuqishme, që mund të përdorë dikush për ta bërë botën më të mirë”.
Sot, për dikë nis, për dikë vazhdon rrugëtimi drejt një bote më të mirë, një të ardhmeje të ndritur, që e keni ju në dorë! E ardhmja e Tiranës lidhet pashmangshmërisht me të ardhmen tuaj.
E ripohoj çdo ditë besimin te ju! Bekime dhe përqafime! Erion Veliaj Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe fansi juaj më i madh.
Lajmi kryesor: