TIRANË- Me argumentin se nuk ka zbatuar urdhrat e tij, kryebashkiaku Erion Veliaj, nga qelia, ka marrë vendimin për t’i tërhequr delegimin e kompetencave Anuela Ristanit për drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Në urdhrin e siguruar nga Shqiptarja.com, Veliaj argumenton se veçanërisht pasi Kushtetuesja konfirmoi vijimësinë e mandatit të tij në krye të bashkisë së Tiranës, është vënë re një shkëputje e Ristanit nga autoriteti i tij.
Veliaj thekson se Ristani në mënyrë të vazhdueshme ka refuzuar urdhrat e tij, ndërsa ka munguar edhe informimi dhe koordinimi institucional. Sipas kryebashkiakut, veprimet e saj kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
Një tjetër argument që liston Veliaj për largimin e Ristanit, është se ajo nuk ka zbatuar vendimet gjyqësore, që duket se i referohet rastit të sekretarit të përgjithshëm, Alban Dokushi. Ishte Ristani që e shkarkoi Dokushin vetëm një muaj pas arrestimit të Veliajt, por ai u rikthye në detyrë me vendim gjyqësor të formës së prerë më 3 qershor. Por, Veliaj thotë se kryetarja e komanduar nuk e zbatoi vendimin.
“Në periudhën pasuese dhe veçanërisht pas vendimmarrjes së fundit të Gjykatës Kushtetuese, është evidentuar një shkëputje progresive e ushtrimit të kompetencave të deleguara nga autoriteti kushtetues dhe ligjor i Kryetarit të zgjedhur, e materializuar në mungesën e informimit dhe të koordinimit institucional, në moszbatimin e vendimeve gjyqësore në moszbatimin dhe refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit, si dhe në veprime dhe mosveprime që kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit institucional të Bashkisë”, thuhet në urdhrin që mban firmën e Veliajt.
Veliaj shkruan në urdhër se situata ka arritur deri në pikën ku delegimi i kompetencave është shndërruar në një pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të tij si kryetar i zgjedhur.
“Kjo situatë ka kulmuar me refuzimin e autoritetit të Kryetarit të zgjedhur për të ushtruar kompetencat që Kushtetuta dhe ligji ia njohin drejtpërdrejt, duke krijuar një gjendje institucionale në të cilën delegimi, në vend që të realizojë qëllimin e tij fillestar të garantimit të vijimësisë administrative, është shndërruar në pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të organit delegues”, thotë Veliaj në urdhër.
Kjo nuk është hera e parë që Veliaj shkarkon si kryetare të Komaduar Ristanin. Në mars të 2025, rreth 1 muaj pas arrestimit Veliaj kaloi komandimin nga Ristani te nënkryetarja tjetër e Bashkisë asokohe Sara Goxhaj.
Lëvizje, që u përkthye si një përplasje mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, por asokohe kryebashkiaku hodhi poshtë zërat duke njoftuar rikthimin e Ristanit si kryetare e komanduar e Bashkisë.
Edhe pse në burg prej 10 shkurtit të 2025 Veliaj vijon të jetë kryetar ligjërisht i Bashkisë, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi nismën e Këshillit Bashkiak e më tej qeverisë për ta shkarkuar.
Urdhri i plotë i firmosur nga Erion Veliaj
Në mbështetje të nenit 8, pika 2 dhe nenit 64 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, si dhe nenit 113 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”;
duke mbajtur në konsideratë se urdhri nr. 366 (nr. 7461 prot.), datë 14.02.2025, “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të Kryetarit të Bashkisë Tiranë”, është nxjerrë si një instrument organizativ me karakter të përkohshëm, me qëllim garantimin e vijimësisë së funksionimit të administratës dhe të shërbimeve të Bashkisë së Tiranës në kushtet e krijuara në atë kohë;
duke mbajtur në konsideratë se mandati i Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës ka vijuar juridikisht dhe është njohur si i tillë në dy vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa vendimmarrja më e fundit e kësaj Gjykate ka eliminuar çdo paqartësi mbi vijimësinë dhe mbrojtjen kushtetuese të këtij mandati, si dhe mbi autoritetin që buron prej tij;
duke vlerësuar se vendimmarrja më e fundit e Gjykatës Kushtetuese përbën një rrethanë të re dhe përcaktuese për raportet institucionale brenda Bashkisë së Tiranës, e cila kërkon që ushtrimi i çdo kompetence të deleguar të zhvillohet në përputhje dhe në koordinim të plotë me autoritetin e Kryetarit të zgjedhur, mandati i të cilit është konfirmuar përfundimisht në planin kushtetues;
duke vlerësuar se, pikërisht për shkak të natyrës së tij të përkohshme dhe derivative, delegimi i kompetencave mund të vijojë vetëm për aq kohë sa i shërben qëllimit për të cilin është dhënë dhe ushtrohet në respekt të autoritetit kushtetues dhe ligjor të organit delegues, pa u shndërruar në një burim autonom kompetence të shkëputur prej tij;
duke konstatuar se, në periudhën pasuese dhe veçanërisht pas vendimmarrjes së fundit të Gjykatës Kushtetuese, është evidentuar një shkëputje progresive e ushtrimit të kompetencave të deleguara nga autoriteti kushtetues dhe ligjor i Kryetarit të zgjedhur, e materializuar në mungesën e informimit dhe të koordinimit institucional, në moszbatimin e vendimeve gjyqësore në moszbatimin dhe refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit, si dhe në veprime dhe mosveprime që kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit institucional të Bashkisë;
duke konstatuar se kjo situatë ka kulmuar me refuzimin e autoritetit të Kryetarit të zgjedhur për të ushtruar kompetencat që Kushtetuta dhe ligji ia njohin drejtpërdrejt, duke krijuar një gjendje institucionale në të cilën delegimi, në vend që të realizojë qëllimin e tij fillestar të garantimit të vijimësisë administrative, është shndërruar në pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të organit delegues;
duke çmuar se këto rrethana, të marra së bashku dhe veçanërisht zhvillimet e fundit të sipërpërmendura, përbëjnë një ndryshim thelbësor të kushteve institucionale në të cilat delegimi është dhënë dhe e bëjnë vijimin e tij të papajtueshëm me nevojën për një zinxhir të qartë përgjegjësie, funksionimin normal të administratës dhe ushtrimin efektiv të mandatit të Kryetarit të zgjedhur;
me qëllim garantimin e ligjshmërisë, vijimësisë, stabilitetit dhe funksionimit normal të Bashkisë së Tiranës, ofrimin e pandërprerë të shërbimeve publike dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve të Tiranës.
.png)
.png)
Urdhri i firmosur nga Erion Veliaj për largimin e Ristanit
-
Po tani, kush do e qeverisë Tiranën? Më mirë ta marri Edi Rama, se ai ka më shumë eksperiencë.
Përgjigju -
Bravo ero
Përgjigju










Komente
Komento