Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, reagoi nga qelia e paraburgimit të Durrësit, dhe tha se dhe kryeministrit Edi Rama nuk ka asnjë përplasje. Veliaj thotë se delegimi i detyrave të kryebashkiakut, të cilin ai ia caktoi së fundi Sara Goxhajt, është rikthyer te nënkryetarja Anuela Ristani, pasi siç ai shton, duke qenë në kushtet e izolimit nuk kishte informacion që kjo lëvizje nuk ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues

***

Erion Veliaj firmosi nga qelia, delegimin e detyrës së kryebashkiakut për një tjetër nga nënkryetarët e bashkisë, Sara Goxhajn. Urdhri i cili mbante datën 18 mars, e hyri në fuqi nga e mërkura, rrjedhimisht i hiqte kompetencat Anuela Ristanit, të cilës Veliaj i delegoi detyrat e kryetarit të Bashkisë, po me firmë të tij, pak ditë pas arrestimit.

Kjo lëvizje, u përkthye nga disa media si një luftë e nisur mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, sipas të cilave kreu i qeverisë kërkoi edhe rikthimin në detyrë të Ristanit. Kryebashkiaku Erion Veliaj zgjodhi të reagojë publikisht nga qelia e paraburgimit të Durrësit dhe të sqarojë se marrëdhënia e tij dhe kryeministrit, nuk do të ndryshojë në asnjë kohë.

“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh. E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.  Kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë”, shprehet Veliaj.

Kryebashkiaku thotë se firmosja e ridelegimit u bë duke menduar se emri i Sara Goxhajt ishte dakordëduar brenda grupit drejtues, duke qenë se ai ndodhet në kushtet e izolimit dhe nuk ka pasur informacion më të detajuar, dhe njofton se me një vendim të dytë të tij, detyra i është deleguar sërish Anuela Ristanit.

“Kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi”, shkruan Veliaj.

Pas arrestimit të Erjon Veliajt, Kryeministri Edi Rama, foli për nevojën e një drejtësie që duhet futur në frymën e standardeve të BE-së, pas një gjyqi pas prova sipas tij ndaj kryebashkiakut në detyrë, dhe mori në dorë drejtimin politik të Tiranës dhe punët e bashkisë për të mos lënë asnjë projekt pas.