Të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës në kryeqytet do të marrin një pagë shpërblim dhe një pagesë shtesë prej 25% për punën e kryer jashtë orarit zyrtar. Veliaj deklaroi në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak se propozimi i tij vjen si rjedhojë e punës së mirë të bërë nga Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit duke arritur të përballojë me sukses të gjitha vështirësitë e krijuara si rezultat i zjarreve të shumta të rëna nga temperaturat e larta.  “Të gjithë jemi dëshmitarë të punës së jashtëzakonshme që kanë bërë punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit gjatë muajve korrik, gusht dhe fillimit të shtatorit. Unë e kam ndjekur nga afër punën e tyre në terren, ashtu si edhe disa nga drejtuesit e tjerë të bashkisë, por edhe shumë prej anëtarëve të Këshillit. Ishin kushte jashtëzakonisht të vështira, me temperatura që arrinin deri në 40 gradë edhe pa praninë e zjarrit, me terrene shumë të thyera në disa raste”, tha Veliaj.
 
Kreu i Bashkisë deklaroi se puna e palodhur nga punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në Bashkinë e Tiranës bëri të mundur shpëtimin e sipërfaqeve të shumta pyjesh dhe kullotash nga djegia dhe e shpëtimit të jetëve njerëzore. “Nëse nuk u dëmtua asnjë banesë, nëse nuk u dëmtua asnjë pronë e qytetarëve të Tiranës, nëse nuk u lëndua asnjë qytetar, e gjithë kjo është meritë e punës së këtyre burrave e grave të cilëve ju detyrohemi një shenjë mirënjohje si qytet”, deklaroi Veliaj, ndërsa kërkoi votimin unanim të këtij vendimi nga të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Veliaj: Brenda këtij viti nis puna për transformimin e Piramidës
Piramida do të kthehet në një qendër të madhe arti dhe teknologjie  që jo vetëm do të gjallërojë jetën artistike të kryeqytetit, por njëkohësisht do të nxisë dhe aktivimin e të rinjve në projekte të ndryshme. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se brenda këtij viti do të nisë puna për Piramidën. “Ne jemi duke punuar për një sërë projektesh të tjera të rëndësishme që do të transformojnë Tiranën. Brenda këtij viti do të nisë puna për Piramidën, për ta kthyer në një qendër të madhe kulturore me fokus rininë, që do të jetë një burim energjie për Tiranën, me një platformë të hartuar nga Winy Mass, që është padyshim një nga arkitektët më të mëdhenj të kohës sonë dhe që i është bashkuar ekipit të Bashkisë për një projekt fantastik, atë që ka ngelur “zhgualli” i Piramidës së Tiranës. Ne duam që aty të përfshijmë aktivitete që kanë të bëjnë me artin, me librin, kinematografinë, teatrin, kulturën në përgjithësi dhe siç kemi bërë këto dy vitet e para shumë për fëmijët, çerdhe, kopshte e kënde lojërash, mund të plotësojmë edhe një vakum që kemi për moshën e adoleshentëve dhe të të rinjve duke e kthyer Piramidën në një platformë fantastike”, tha Veliaj.

Redaksia  Online
N.M/Shqiptarja.com