Veliaj takim me ndërlidhësit:
jeni deputet i zonës, bëni detyrën

Veliaj takim me ndërlidhësit:<br />jeni deputet i zonës, bëni detyrën
TIRANE - Në takimin e parë me ndërlidhësit e komunitetit, kryebashkiaku Erion Veliaj u kërkoi atyre të zbatojnë detyrën, në të kundërt do të përballen me përgjegjësitë ligjore. Një ndër to është edhe raportimi për rastet e ndërtimeve pa leje, apo të zaptimit të hapësirave publike.

"Keni marrë përsipër të prishni disa rehate, disa qejfe, dikë që zapton hapësirën publike. Unë i di të gjitha këto, prisni që nëse do ta bëni mirë detyrën do prishni edhe kritika. Ju jeni deputeti i zonës. Duhet të raportoni për çdo ndërhyrje të paligjshme që bëhen në zonën tuaj, çdo ndërtim i ri pa leje, mban përgjegjësi para ligjit nëse nuk raporton", - tha kryebashkiaku Veliaj në sallën e këshillit bashkiak.

Ndërlidhësi ka një funksion si ndërmjetës në zgjidhjen e konflikteve të ndryshme mes banorëve të lagjes që ai mbulon.

"Jemi gjaknxehtë në TV, mendo në lagje ku nuk na sheh njeri. Në lagje ka sherre që zihen kush i la plehrat në ashensor, pra ndërlidhësi të sjellë pajtim ..", tha Veliaj.

Kryebashkiaku veçoi edhe një detyrë tjetër të ndërlidhësve, siç është ajo e evidentimit të familjeve në nevojë.

"“Nevojat janë të panumërta: ka njerëz të ardhur nga rrethe të ndryshme, që janë në kërkim të një pune, njerëz që përballen me fatkeqësi, njerëz, fëmijë që mund të kenë humbur prindërit, pra njerëz në kushte për të cilat meritojnë jo vetëm ndihmë ekonomike, ndihmë e asistencë sociale, por edhe një mbështetje njerëzore. Për një vaki, të jeni në emër të bashkisë", u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai ka kërkuar prej tyre që të rrisin komunikimin me qytetarët dhe banorët e lagjes që mbulojnë për të gjitha vendimet që ndërmerr bashkia dhe projektet e mëdha apo të vogla që ajo ka vendosur të realizojë në të mirë të qytetarëve, ashtu siç edhe diskutoi gjatë prezantimit të projektbuxhetit në fundvitin e shkuar. “Bashkë folëm edhe për çështjen e këndit të lojërave te liqeni, e prezantuam 24 herë, megjithatë forca që duan të pengojnë progresin në Tiranë ca me dashje, ca komplet pa dashje, janë jo të buta dhe do të duhet që siç i bëmë ato 24 dëgjesa për buxhetin dhe projektet madhore, ne ta transformojmë të gjithë vitin në një komunikim konstant me banorët”, shtoi Veliaj.

Në bazë të ligjit, për çdo 2500 banorë, komuniteti zgjedh një ndërlidhës, i cili do ndërmjetësojë problemet mes administratorëve të pallatit dhe Njësisë Administrative. 

Por, për të realizuar më mirë këto funksione, Veliaj paralajmëroi se do të nisë edhe aplikimi i ligjit “Për bashkëjetesën e në komunitet”, i cili parashikon edhe zgjedhjen e detyrueshme të administratorëve të pallateve. Ndaj, ai theksoi se në zbatim të këtij ligji do të bëhet trajnimi profesional dhe liçensimi i administratorëve të pallateve. 

Gjithashtu, Veliaj ka lajmëruar edhe vendimin që ka marrë bashkia që nismën e zbatuar vjet për pastrimin e përgjithshëm të Tiranës ta kthejë në një traditë që do të aplikohet edhe gjatë këtij viti. Kështu, ai bëri të ditur se datat 12 dhe 13 mars do të organizohet një tjetrën aksion i pastrimit të Tiranës, jo vetëm nga ndërmarrjet e bashkisë, por edhe nga vetë qytetarët.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Rusia: Ballafaqimi me Perëndimin është i pashembullt në histori

Rusia: Ballafaqimi me Perëndimin është i pashembullt në histori