Veliaj takime me banorët e Krrabës, Petrelës e Bërzhitës: Vetëm duke ecur përpara mund të bëjmë punë të mira! Ata kanë hall se s’venë dot deri në Rinas

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ishte në Krrabë, Petrelë dhe Bërzhitë, ku zhvilloi një takim me banorët e zonave, si dhe vuri në dukje se periferia e Tiranës sot është transfomuar dhe nuk konsiderohet më si fundi i botës. 

Duke marrë si shembull Krrabën, Veliaj tha se ajo njihej vetëm nga lapidari, kurse sot me rrugën e re vjen shumë shpejt.

“Kur ti thoje do shkoj lart në Hekal, dukej sikur po shkoje ushtar. Në Pëllumbas shkonin vetëm ata që bënin ekskursion. Krejt papritur, e gjithë kjo zonë që quhet “Malësia e Tiranës”, sot është bërë bahçja m’u përpara shtëpisë së Tiranës dhe po lulëzon nga aktivitetet. Kjo do të thotë se duke ecur përpara dhe duke punuar mund të bëjmë gjërat që kemi bërë sot,” u shpreh ai. 

Veliaj kërkoi nga banorët që të votojnë Partinë Socialiste për të ecur përpara me investimet, jo për t’u kthyer pas tek ata që sot nuk shkojnë dot as deri në Rinas se janë ‘non grata’. 

“Ata e kanë një hall se nuk marrin dot vizë amerikane. Por, ky nuk është halli ynë, që dikush nuk shkon dot deri në Rinas. Nuk është as faji ynë që i vunë flakën Gërdecit dhe hodhën njerëzit në erë nga babëzia. Nuk është faji ynë që dikush vrau njerëz me plumba në mish, në Bulevard, të paarmatosur, pa u futur fare te rrethi i Kryeministrisë. Ky është problemi i tyre, është halli i tyre. Po të kishin ata hallet e njerëzve, do kishin ardhur ta bënin rrugën edhe në Krrabë, edhe në Mushqetë, do kishin ardhur të bënin rrugën edhe në Hekal, do kishin ardhur të bënin edhe qendrën në Qeha, do e kishin bërë edhe shkollën “Feti Fanaj”. Për të gjithë këto arsye, miqtë e mi është shumë e rëndësishme të kuptojmë se çfarë fuqie ka vota jonë”, deklaroi Veliaj. 

Ai theksoi se PS po e dëshmon duke bërë një fushatë me mbjellje pemësh se nuk dëshiron të mbjellë sherr e përçarje siç bëjnë kundërshtarët. 

“Sot shumë njerëz thonë: “Ju jeni partia më e madhe në Shqipëri, keni fituar 8 nga 9 zgjedhjet e fundit, pse nuk i bëni edhe ju këto tam-tamet, pse nuk e bëni edhe ju këtë zhurmën, këtë gjullurdinë, pse nuk paguani edhe ju lekë në Facebook, pse nuk merrni edhe stadiumin me qira? Por, vendimi i PS është të mbjellim gjelbërim, të mos mbjellim sherr, të mbjellim ajër të pastër dhe jo frymë dhe fjalë të ndotura, të mbjellim diçka që i ngelet për mirë komunitetit dhe jo një shije të hidhur të ofendimeve dhe goditjeve nën brez. Unë besoj se ky ishte vendimi i duhur”, tha Veliaj. 

Ai tha se Partia Socialiste është forca më e madhe, më patriotike dhe më e vendosur për të transformuar qytetet dhe për t’i ngritur kokën lart Shqipërisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:30
Veliaj me banorët e Farkës dhe Baldushkut: Tirana ka vendosur të shkojë përpara me PS; tregu i ri agroushqimor do të ulë kostot për fermerët

1681586085_WhatsAppImage20230415at8.16.15PM.jpeg

Pas Krrabës, Petrelës dhe Bërzhitës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u ndal edhe në Farkë dhe Baldushk, ku mbolli 200 pemë të reja me banorët e zonës, me të cilët diskutoi për investimet e kryera në periferi të kryeqytetit. Veliaj tha se shumë prej atyre që nuk duan ta shikojnë këtë ndryshim, përdorin studiot televizive për të hedhur baltë. Ai shtoi se prej këtyre investimeve i është rritur si asnjëherë më parë vlera pronës, nga sheshi “Skënderbej” deri në Krrabë, dhe kjo nuk është një gjë e keqe, siç duan ta trajtojnë disa të opozitës. 

“Është rritur vlera e apartamenteve, më thoshte një analist. Po si, - i thashë unë, - e bleve 100 dhe tani të vlen 200 dhe kjo qenka gjë e keqe?! Po mirë, është gjë e mirë në qoftë se e ke blerë 100 dhe tani të vlen 50? Dhe ti e kupton që këta i ha ose smira për punën e tjetrit, ose xhelozia pse të tjerët po ecin përpara, o inati që nuk ta falin suksesin, por ne në Farkë dhe Baldushk nuk do rrimë mbrapa. Ne kemi vendosur që të shkojmë përpara, që pronës t’i rritet vlera. Sot nga sheshi “Skënderbej”, në Farkë, në Baldushk deri në Krrabë po ju them, në Pëllumbas ku janë bërë ato bujtinat e reja, ku vijnë të huaj, është rritur vlera e pronës dhe kjo është gjë e mirë, nuk është gjë e keqe,” deklaroi Veliaj. 

Tregu agroushqimor i Farkës, një investim publik i Bashkisë së Tiranës, sipas Veliajt, do të ulë me 70% koston për prodhimet origjinale të zonës, diçka që nuk mendohej deri më parë, kur tregu i lihej në dorë privatit. 

“Ne nuk e mendonim dot se një ditë do e kishim fuqinë për të thyer monopolin e tregut agroushqimor në Kashar, i cili është një treg privat. Kush është këtu e di që atje, ishte tamam si ajo shprehja, ta masin kokën me spango, dhe ti paguaje për çdo arkë që futej aty, paguante edhe tregtari. Të gjitha këto pagesa i shkonin tek çmimi i fruta-perimeve qytetarit dhe fitonte vetëm pronari privat i tregut agroushqimor. Sot tregu agroushqimor në Farkë, që i shërben Baldushkut, Petrelës, Mulletit, Krrabës, Bërzhitës, është i Bashkisë së Tiranës. Produktet do të shiten me 70% kosto më e ulët - fiton ai i fshatit, fiton tregtari dhe sigurisht, fiton çdo qytetar i Tiranës që, nga maji e tutje, do e shtrojë tavolinën e tij me fruta-perime bio dhe me një çmim më të ulët sesa fitimi që i shkonte privatit,” theksoi Veliaj.

Ora 20:17
Veliaj nga Farka: Ata kanë hall se janë non-grata, duan të na kthejnë te Sudja e fajdeve, çdo gjë falas, deti kos

 

Nga Farka, ku u takua me banorë të zonës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Partia Socialiste përballet në këto zgjedhje me një parti të shpallur non-grata, që shkatërron shtëpinë e saj dhe s’mund të rregullojë asgjë.

“Problemi është se këta duan që hallet e tyre të bëhen hallet tona. A e patë çfarë i ndodhi shtëpisë tyre vjet në 8 Janar? Dolën të merrnin selinë, shkuan me sfurqe, me shkopinj bejsbolli. Ne kur dalim me lopata, të gjithë e dinë që po doli Lali me lopatë është për të mbjellë ndonjë pemë, ata me lopata thashë: Ditë e bekuar do të mbjellin edhe ata pemë! Ata i kishin për të luftuar njëri-tjetrin, ata i kishin për të shkatërruar shtëpinë e tyre. Ne shkojmë i rregullojmë shtëpinë demokratëve nga tërmeti, ata shkojnë djegin shtëpinë që kanë në mes të Tiranës. A e kuptoni sa qesharake? Është për të qarë dhe për të qeshur,” ironizoi Veliaj. 

Një parti që shkatërron shtëpinë e saj, nuk mund të rregullojnë dot Tiranën, shtoi ai, duke kujtuar kohën e piramidave.

“Do rregullojnë Tiranën dhe do e bëjnë falas këta! Këta, parti e djathtë, që besojnë te pronarët, prona është e shenjtë, te kapitalizmi, te biznesi, këta janë bërë komplet “do t’i bëjmë çdo gjë falas”. E kishin ata mundësinë, e kishin Tiranën ata, e patë çfarë bënë falas? Tortën e Pavarësisë. Me legena, me govata, me kova t’u kap nga një copë tortë dhe na fëlliqën në sytë e gjithë botës! E kishin ata Tiranën, i kishin këto idetë falas dhe aty përfundoi. Këta thonë që do bëjmë transport falas. Edhe thashë, po mirë, në mitingun e parë do e shohim vizionin e tyre për transportin falas. Kur erdhën pastaj me kalin blu në mes të Tironës, kisha që në vitin 2000 pa parë kalë në Tiranë. Ata janë Sudja e 2023-it, thonë: çdo gjë falas, fitimi 300%, shitini të gjitha pronat, shitini të gjitha shtëpitë, “u bë deti kos””, e përfundoi Veliaj fjalën e tij.

Ora 17:56
Veliaj nga Bërzhita: Tregu i ri agroushqimor hapet këtë muaj! Kur numëroj shkollat që kemi ndërtuar, Saliun dhe Ilirin i zënë numrat

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj dha një lajm të mirë për fermerët e fshatrave të Tiranës, kur tha se tregu i ri agroushqimor do të hapet këtë muaj. Sipas tij, në këtë treg do të jetë e mundur që qytetarët të blejnë produkte bio me çmime më të lira.

“Këtë muaj duam të hapim tregun e ri agroushqimor. Edhe opozita mezi po pret që të hapet tregu. Në fund të muajit mbarojmë thirrjen dhe mbyllim kontratat e gjithë atyre që transferohen në tregun publik dhe besoj se do të kemi një mundësi të jashtëzakonshme për ta kthyer tregun edhe në një mundësi për financimin e farave, edhe të subvencionimit të disa produkteve që ne do duam t’i shtyjmë akoma më shumë. Ne e kemi brand sot gjelin e Baldushkut, verën e Lundrës, vajin e Ndroqit apo domaten e Shëngjergjit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se nëse Krraba do të ishte ende komunë dhe s’do të ishte bashkuar me Tiranën e madhe, rruga e re nuk do të ishte bërë. “E bashkuam me Tiranën që disa nga taksat t’i sjellim këtu, sepse me taksat e ish komunës do të duheshin 76 vjet të bëhej rruga”, tha ai.

Mandej, Veliaj i ftoi të gjithë që këtë fushatë ta trajtojmë si një mundësi për të komunikuar me njëri-tjetrin. “Kush e mendonte se do të vinte dita kur debati kryesor me Saliun dhe Ilirin do ishte sa pemë u mbollën? Përgjigja ime për ata është: kapeni lopatën se nuk ju zë, mos kini alergji nga lopata, mbillni të paktën një pemë, e pastaj fillojmë e i numërojmë, por për sa kohë punët tona i kthyen në debat publik, kjo është një gjë e jashtëzakonshme sepse tregon që vetëm Partia Socialiste mund të lerë një shenjë, të transformojë qytetin, fshatin e gjithë shoqërinë tonë. Kur unë filloj e numëroj shkollat që kemi bërë, ata i zë vetëm duke i dëgjuar, imagjino të kishin punuar ndonjëherë. Ndaj, u them: Më thoni ju një shkollë të vetme që keni bërë kur e kishit bashkinë. Po asnjë punë s’bënë”, tha ai.

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ylli: 16/04/2023 06:09

    shikojeni foton o njerez,,,,,asnje peme e mbjelle,,,si nje shkretetire duket,,,,mos votoni as per belindin e as per veliajn ,,te dy nuk e meritojne te qendrojne. .votoni per arlind qorrin..apo endri shbanin...

    Përgjigju
  • Iris: 16/04/2023 03:21

    Mos harro te vizitosh dhe Berxullen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Legjionarët/ Bitri dhe Shpendi gjejnë golat, Gripshi fiton Kupën! Myrto Uzunin e nderon gjithë stadiumi, një gol larg historisë

Legjionarët/ Bitri dhe Shpendi gjejnë golat, Gripshi fiton Kupën! Myrto Uzunin e nderon gjithë stadiumi, një gol larg historisë