BERAT - Tregu i punës nevojë për më shumë njerëz që dinë të bëjnë diçka me zanatet e tyre, prandaj arsimi profesional është zgjedhja më e mirë për fëmijët tuaj. Kështu ka deklaruar  Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,  Erion Veliaj, gjatë vizitës së tij në dy shkollat e mesme profesionale të Beratit.

“Të gjitha statistikat e INSTAT-it, e tregut të punës, e donatorëve të huaj, dëshmojnë se tregu ka nevojë për profesionistë, për njerëz që dinë të bëjnë gjëra me zanatet e tyre”, u shpreh ministri Veliaj.

Sipas tij, nevojën për më shumë njerëz teknicienë e tregon shumica e vendeve të lira të punës të afishuara në zyrat e punës, ku rezulton se zanatet më të kërkuara janë hoteleri-turizmi, ekonomi-financë dhe njerëz që kanë aftësi teknike.
 
Veliaj ka ftuar të gjithë prindërit të reflektojnë dhe të mendojnë se në prag të vitit të ri shkollor, zgjedhja e një shkolle për fëmijët e tyre është një vendim me shumë rëndësi për jetën e tyre.

erjon Veliaj

“Mund të zgjedhin të harxhojnë para dhe vitet e jetës së fëmijëve të tyre në shkolla që nuk kanë asnjë lloj perspektive, në arsim të përgjithshëm apo universitete që më vonë nuk do t’u ofrojnë një vend pune ose të lexojnë mirë këto statistika dhe këtë përgatitje serioze të shkollave profesionale, si “Kristo Isak” në Berat, për të mirëpritur nxënës që nesër do të fitojnë menjëherë para me zanatin dhe aftësitë që do të marrin nga shkolla të tilla”,-deklaroi Veliaj.
 
Në qarkun e Beratit, shkolla “Stiliano Bandilli” është një ndër katër shkollat profesionale dhe e specifikuar me degë teknike. Shkolla synon orientimin drejt tregut të punës dhe zhvillimin e mëtejshëm të praktikave profesionale. Ndërsa, shkolla “Kristo Isak” ofron degë në drejtimet ekonomi-biznes, hoteleri-turizëm, agrobiznes dhe gjuhë të huaja.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)