Kjo e hënë ka shënuar nisjen e punimeve për investimin e Bashkisë Shkodër në rrugën paralele përgjatë pedonales në plazhin e Velipojës. Në nisjen e punimeve ishte i pranishëm vetë Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili në intervistën e dhënë për mediat u shpreh se ky është një investim i rëndësishëm, i kërkuar prej kohësh nga vetë bizneset, për të krijuar një hapësirë të rikonstruktuar që do t’u shërbejë si bizneseve, ashtu edhe pushuesve në plazhin e Velipojës.

“Rruga paralele me shëtitore që lidh shumë biznese është një nga investimet më të kërkuara. Në fazën e parë, për të mos prishur edhe aktivitetin, janë 800 metra që janë liruar por janë të papërdorshme. Mendoj brenda një muaj do të kemi realizuar të gjithë investimin që vazhdon deri në 1.6 km. Kjo përfshin lotin e parë të investimeve të Bashkisë Shkodër në Velipojë në funksion të bizneseve dhe pushuesve” tha Beci. 

Nga ana tjetër, kryebashkiaku zbuloi edhe detaje të projektit të rrugës, i cili përfshin një aks me dy korsi, korsi biçikletash dhe një hapësirë të gjelbër ngjitur me pedonalen.

“Ka qenë një bashkëpunim me bizneset, një dakordëi me to. Është një investim i kërkuar prej tyre prej shumë kohësh dhe sistemon këtë pjesë të plazhit. Projekti ka rrugën e biçikletave, një park të gjelbër në krah të rrugës dhe të gjithë infrastrukturën nëntokësore” shtoi ai.

Paralelisht me këtë investim, i cili parashikohet të përfundojë fazën e parë në fund të muajit qershor, Bashkia Shkodër po vijon edhe sistemimin e brezit ranor, hapësirave publike dhe elementeve të tjerë infrastrukturorë, në mënyrë që në fillim të muajit qershor plazhi i Velipojës të jetë gati për të pritur pushuesit. Velipoja mbetet pika kryesore e turizmit gjatë sezonit veror në Bashkinë Shkodër.