Bashkia Shkodër ka nisur përgatitjet për sezonin turistik në Velipojë. Kryetari i Bashkisë, së bashku me stafin drejtues, ka inspektuar nga afër situatën aktuale në terren, si dhe masat që do të ndërmerren për përmirësimin e kushteve për pushuesit.

Gjatë inspektimit u diskutua plani konkret i ndërhyrjeve, i cili përfshin përmirësimin e hapësirave publike, menaxhimin e mbetjeve, organizimin e hapësirës së plazhit dhe vendosjen e një modeli më funksional për parkimin publik

“Tashmë është e qartë, që ndërhyrje dhe ndërtime pa leje nuk ka më dhe janë sensibilizuar të gjitha bizneset.  Nuk do të kemi më kështu problemesh, por edhe nga ana estetike do të bashkëpunojmë me të gjitha bizneset për të pasur një pamje estetike dhe për ta ngritur nivelin e plazhit të Velipojës aty ku meriton, një vend i përshtatshëm jo vetëm për turistët e huaj por edhe vetë banorët e Shkodrës dhe zonave përrreth. Velipoja është prioritet kryesor. Hapësirat publike, menaxhimi i pastrimit të plazhit dhe bashkëpunimi me bizneset e zonës të cilët i ftoj të jenë pjesë e mirë menaxhimit. Dëshiroj që brenda 10 ditësh të kemi një aksion të përbashkët me forcat e Bashkisë dhe të bizneseve që kanë parcelat e tyre të përcaktuara. Ne do të angazhohemi për mbajtjen pastër, për menaxhimin jo vetëm të rërës por edhe mbetjeve. Ka qenë një problem i kahershëm menaxhimi i parkimeve.  Sivjet po përfshihet Bashkia ne menaxhimin e tyre. Në Këshillin Bashkiak kemi kaluar disa vendime të rëndësishme për të menaxhuar parkimet në funksion të pushuesve që vijnë në Velipojë” tha kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.  

Velipoja mbetet një nga prioritetet kryesore të Bashkisë Shkodër për këtë sezon veror, me synimin për të ofruar më shumë standarde, cilësi shërbimi dhe mikpritje për turistët vendas dhe të huaj.

Në bashkëpunim me bizneset lokale, pritet që këtë vit Velipoja të jetë një destinacion edhe më i organizuar dhe i preferuar për pushuesit.