Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit me misionin PAMECA V dhe Qendra e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), kanë organizuar konferencën me temë "Qasje moderne për përmirësimin e integritetit në Policinë e Shtetit".
Në këtë konferencë, ishte i pranishëm edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili ka folur për punën që është bërë vitet e fundit nga policia.
Veliu e vuri theksin tek rekrutimi në Policinë e Shtetit, me qëllim që të arrihen rezultate të lartë dhe që të përmbushen objektivat në luftën kundër krimit dhe korropsionit.
“Integriteti është thembra e akilit për një organizatë ligjzbatuese, pasi integriteti personal i çdo punonjësi të policisë ndikon drejtpërsëdrejti në integritetin profesional në punën që ai kryen. Ndaj është e domosdoshme që në radhët e Policisë së Shtetit duhet të rekrutohen njerëz me integritet të lartë për të arritur rezultatet e dëshiruara në përmbushje të objektivave të përcaktuara. Integriteti i policisë është një pike kyçe për të gjitha institucionet ligjzbatuese, por në veçanti për Policinë e Shtetit, nisur nga tematika dhe gama e gjerë e aktiviteteve dhe detyrave që mbulon. Integriteti, etika, korrupsioni dhe çështje të tjera që lidhen me to prekin çdo strukturë e sektor të Policisë së Shtetit.”, tha Veliu.
Korrupsioni është një pikë tjetër në të cilin është ndaluar Drejtori i Policisë, ku tha se janë marrë masa në të gjithë nivelet e Policisë së Shtetit, për të luftuar këtë fenomen.
“Çështja e parandalimit të korrupsionit të policisë është thelbësore për shoqërinë, organizatën policore dhe vetë demokracinë, ndaj masat efektive për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit janë të vendosura në të gjitha nivelet e organizatës së policisë. Policia e Shtetit i ka kushtuar vëmendje parandalimit të korrupsionit në radhët e saj dhe për këtë ka një strukturë të posaçme Drejtorinë e Standardeve Profesionale, me qëllim krijimin e standardeve profesionale të etikës, menaxhimit, administrimit dhe llogaridhënies në të gjithë institucionin. Është thelbësore ndërtimi i mekanizmave që mund të shmangin, zbulojnë dhe ndëshkojnë korrupsionin, si dhe të mbështesin një kulturë integriteti.”-u shpreh Veliu.
Në kuadër të masave të marra për parandalimin e korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit, Veliu foli është për vettingun që ka nisur.
“Në këtë këndvështrim, një vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet parandalimit të mjeteve dhe mekanizmave të korrupsionit, sepse objektivi kryesor i politikave kundër korrupsionit edhe brenda organizatave të zbatimit të ligjit, është përpjekja për të "shmangur" praktikat e korrupsionit para se ato të ndodhin. Për këtë, disa muaj më parë nisur nga nevoja për të adresuar çështjet e integritetit dhe luftës kundër korrupsionit në strukturat e Policisë së Shtetit, nga drejtuesit e PAMECA V në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe strukturat e SHCBA-së u ndërmor nisma për të kryer një studim, nëpërmjet të cilit të identifikoheshin problematikat që lidhen me korrupsionin në strukturat e PSH.”,-tha Veliu.
Më tej, Veliu tha se PAMECA V, ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar për të mbështetur PSH dhe SHÇBA në përgatitjen e një dokumenti të ri për çështjet lidhur me integritetin dhe korrupsionin, që të mundësonte identifikimin e sektorëve dhe fushave me probabilitet më të madh për afera korruptive ne Polici.
“Përgatitja e një dokumenti konkret, përkatësisht analiza e riskut dhe matrica e rreziqeve të korrupsionit, sipas metodave e standardeve bashkëkohore, të cilat përveç se janë parashtruar në raportin paraprak do të konkretizohen e zhvillohen më tej në trajnimin dy ditor të planifikuar, do të jetë një udhërrëfyes dhe shpresojmë të shërbejë si indikator për të matur nivelin e korrupsionit/integritetit në organizatën e Policisë së Shtetit.”,-u shpreh Veliu.
Në fund, Veliu siguroi qytetarët që vettingu është një proces i përhershëm, dhe do të ndihmojë në pastrimin e Policisë së Shtetit nga personat që janë të korruptuar.
“Policia e Shtetit është në proces vetingu të përhershëm dhe është tërësisht e angazhuar për të luftuar krimin dhe korrupsion edhe brenda radhëve të saj. Aksionet e Policisë kundër korrupsionit synojnë minimizimin e pandëshkueshmërisë dhe rritjen e transparencës. Lufta pa kompromis ndaj rrjeteve kriminale apo ndaj cilitdo zyrtar të korruptuar, tregojnë edhe një herë seriozitetin dhe integritetin e Policisë së Shtetit.”,- e mbylli Veliu.
Thuaja shefave dhe drejtorave qe mbledhin harace cdo muaj
PërgjigjuFjalim epik. Bravo.
Përgjigju