ELBASAN- Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, mbrëmjen e sotme ka 'zbarkuar' në drejtorinë e policisë së Elbasanit ku është takuar me strukturat drejtuese në policinë e këtij qyteti. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Veliu ka qenë kritik ndaj policëve të Elbasanit duke thënë se duhen rritur masat e sigurisë për shkak të kriminalitetit.
Veliu ka prezantuar edhe shefin e ri të qarkullimit në Elbasan, Artur Sinorukaj. Ky i fundit do të zëvendësojë Adriatik Huti, i cili u pezullua kohë më parë pasi mbi të dhe disa të tjerë rëndonte akuza se kishin lejuar kultivimin e Kanabisit në një zonë të Librazhdit.
Me vendim të Gjykatës së Elbasanit, 10 punonjës policie të këtij qarku, në komisariatin e Librazhdit dhe Elbasanit janë pezulluar nga detyra, lidhur me hetimet e nisura disa muaj më parë për shpërdorim detyre. 'Lufta ndaj kriminalitetit sfidë për të gjithë ne' mësohet të jetë shprehur Veliu në takimin me dyer të mbyllura.
Takimi i Veliut në Elbasan vjen menjëherë pas një takimi që kreu i Policisë kishte me strukturat drejtuese të policisë në Shkodër.