Para luftës, në Gaza një paketë cigare blihej me rreth 5 euro. Me nisjen e ofensivës, Izraeli mbylli pikat e kalimit dhe lejoi vetëm pjesërisht mallra të konsideruara thelbësore. Cigareve iu vu etiketa “luksi” dhe u përjashtuan nga lista e produkteve të lejuara.

Gjatë luftës, dhe ende sot, një paketë arrin të kushtojë gati 250 euro në tregun e zi. Sipas inteligjencës izraelite, ky treg menaxhohet nga Hamas për të financuar pagesat e militantëve dhe aktivitetin e saj në terren.

Pikërisht ky trafik është në qendër të një operacioni të madh policor në Izrael, ku është arrestuar Bezalel Zini, vëllai i David Zinit, kreut të Shin Bet. Në total, policia ka ndaluar 15 persona.

Sipas aktakuzës, Bezalel Zini dyshohet se ka futur në Gaza 14 arka me cigare, duke përfituar rreth 365 mijë shekelë, afro 117 mijë dollarë. Të dyshuar të tjerë në të njëjtin rrjet kanë kontrabanduar edhe telefona celularë, pjesë makinash dhe mallra të ndaluara.

Hetuesit thonë se rrjeti përfshinte edhe ushtarë rezervistë izraelitë, si dhe palestinezë nga Bregu Perëndimor dhe Gaza. Zinxhiri i kontrabandës niste në Bregun Perëndimor, kalonte nëpër magazina në Izrael dhe përfundonte në Gaza përmes autokolonave ushtarake, ndonjëherë gjatë aktiviteteve operative.

Në disa raste, mallrat futeshin duke u paraqitur si nevoja operative ose përmes kanaleve të ndihmës humanitare. Shin Bet ka paralajmëruar se këto veprime përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e Izraelit, pasi forcojnë financiarisht Hamasin dhe aftësitë e tij ushtarake.

Bezalel Zini përballet me akuza për ryshfet dhe “ndihmë ndaj armikut në kohë lufte”. Avokati i tij ka deklaruar se klienti është i pafajshëm.

Autoritetet kanë theksuar se nuk ka asnjë provë që lidh këtë çështje me vëllain e tij, David Zinin.

David Zini u emërua në krye të Shin Bet nga kryeministri Benjamin Netanyahu, në një vendim që u shoqërua me polemika për mungesë përvoje në inteligjencë. Për shkak të lidhjes familjare, hetimi ndaj Bezalel Zinit po ndiqet vetëm nga policia izraelite.