Në një kohë ku tensionet mes SHBA dhe Iranit kanë arritur kulmet që pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleiman,  Presidenti i Shqipërisë, Ilir Metës ka deklaruar se Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare në interes të paqes.

Duke iu përgjigjur udhëheqësit suprem të Iranit Ali Khamenei ku ky i fundit e quajti Shqipërinë si një vend i mbrapsht, Meta ka thënë se vendi ynë nuk është  një vend djallëzor por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta. Këtu Meta i referohet vendimit të Shqipërisë për të strehuar një pjesë  të opozitës së Iranit të cilët u larguan nga regjimi i Ali Khamenei.

Ndër të tjera Presidenti i vendit Ilir Meta i ka cilësuar sulmet e Iranit me raketa ndaj bazave amerikane në Irak, si një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Meta shton se Shqipëria mbetet e vendosur përkrahë SHBA-ve.

"Raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombetare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes.
 Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta. Prej dy dekadash Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë."
shkruan Meta.