TIRANË- I gjithë vendi është përfshirë nga temperatura të ulëta dhe ngrica. Metorologia Anira Gjoni tha në Report Tv se kjo është java më e ftohtë për këtë sezon të dimrit. Gjoni theksoi se temperaturat e ulëta do të na shoqërojnë gjatë gjithë javës, ndërsa në dy javët e tjera pritet që të ngrihen.
Në emisionin 'Sot Live në Shqipëri' me gazetarin Nertil Agalliu, meteorologia tha se në vendet malore temperatura pritet që të zbresin deri në -10 gradë celsius dhe temperatura maksimale në -4.
“Do na shoqërojnë deri në fund të javës. Dita më e ftohtë ishte e hëna, që regjistroi temperatura më të ulëta në të gjithë vendin. Nesër presim që temperaturat të zbresin në bregdet në 1 gradë dhe maksimumi 8, në vendet malore minimumi është -10 dhe maksimumi -4. Kjo javë e shkurtit është java më e ftohtë e këtij dimri, pasi muaji janar u shoqërua me anomali pasi ishin më të larta se normalisht”, tha metorologia nga IGJEUM për Report Tv.
Meteorologia Gjoni ‘preu shpresat’ për banorët e Tiranës të cilët prisnin se këto temperatura të ulëta mund të sillnin reshje dëbore në kryeqytet.
“Dy javët që vijnë presim të kemi temperatura normale. Të enjten nuk do jenë nën zero zonat bregdetare dhe të ulëta, zonat malore temperatura minimale do vazhdojnë të qëndrojnë nën zero deri në datën 11. Kryeqyteti nuk preken nga reshjet e dëborës”, u shpreh ajo.
Moti do të jetë me kthjellime dhe vranësira mesatare në zonat verilindore dhe Juglindore.
Temperaturat minimale do të luhaten -12 - -3gradë, temperaturat maksimale do të jenë -2 -1°C në veri, 6-9°C në zonën e ulët dhe bregdet.
Era do të jetë me drejtim Veri- Lindje me shpejtësi 8-12 m/sek dhe dallgëzim të forcës 3 – 4 ballë në det të hapur.